Një grua nga Shtërpca e ka raportuar dje në Polici një rast të sulmit seksual, që sipas saj ka ndodhur në fshatin Gotovush, shkruan Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se i dyshuari për sulmin seksual ndaj 25-vjeçares, është Avdyl Hashani, 50-vjeçar.
Të njëjtat burime kanë dhënë detaje se çfarë ka deklaruar viktima në stacion policor lidhur me rastin.
Sipas saj, Hashani në dalje të fshatit Gotovush ia kishte ndalur veturën derisa ajo ishte duke pritur dhe e kishte marrë të njëjtën, ku rrugës për në Shtërpcë kishte nisur ta ngacmojë.
Në deklaratën e viktimës të dhënë para hetuesve policorë thuhet se Hashani fillimisht e kishte prekur me dorë në shpatullën e këmbës, derisa i kishte thënë se dëshiron të bëjë marrëdhënie seksuale me të.
Në atë moment, gruaja ka dalë nga vetura e të dyshuarit dhe e ka raportuar menjëherë rastin në Polici.
Pas denoncimit të rastit, Policia ka intervistuar të dyshuarin, i cili i ka mohuar akuzat e viktimës.
Ndërkohë rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt, ku përmes një komunikate për medie bëhet e ditur se i dyshuari është dërguar në qendrën e ndalimit për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.