Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë ka kryer bastisje sot në shtëpinë e një qytetari në fshatin Dejnë të Rahovecit, pasi i njëjti dyshohej se posedon armë ilegale. I dyshuari ka rënë në prangat e Policisë dhe i njëjti ka përfunduar në ndalim policor, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i arrestuari është Zekir Morina, 36-vjeçar.
Morina është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim, ku me urdhër të prokurorit ndaj tij është iniciuar rasti ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 36-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.
Ndërkohë lidhur me rastin ka njoftuar edhe Policia, ku përmes një komunikate ka zbuluar armët të cilat janë gjetur gjatë bastisjes.
“Gjatë kontrollit në posedim të të dyshuarit janë gjetur dhe janë sekuestruar:
• Një pushkë gjysmë automatike,
• Një pushkë automatike,
• Një mitraloz si dhe
• 130 copë fishekë të llojeve të ndryshme dhe 26 gëzhoja.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është ndalur në mbajtje për 48 orë, dhe ndaj tij është iniciuar rast “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.