Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj një personi që dyshohet se tentoi ta vrasë ish-gruan e tij. Sinjali mëson se i dyshuari është Shaban Pergjegjaj.
Pergjegjaj, dyshohet se kishte shkuar në banesën e ish-bashkëshortes ku fillimisht janë fjalosur, e më pas me një tavolinë druri e kishte goditur të dëmtuarën disa herë në kokë, fytyrë e pjesë të ndryshme të trupit, derisa e njëjta ka mbetur e shtrirë në dysheme pa ndjenja.
33-vjeçari dyshohet se ka kryer veprën “Vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1, nen paragrafi 1.3 lidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gazeta Sinjali ka raportuar edhe mbrëmë se i dyshuari e kishte goditur viktimën deri në alivanosje, ndërsa sot detaje ka dhënë edhe Policia përmes raportit 24-orësh.
“VRASJE NË TENTATIVË: Gjakovë 19.12.2021-19:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare ish bashkëshorten e tij duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Viktima është dërguar për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje“, thuhej në raport.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./Gazeta Sinjali/