image Kush është 'zyrtari i Ministrisë së Drejtësisë' që u arrestua sot, ishte i dënuar për 8 vepra penale

Drejtësi/ Kush është ‘zyrtari i Ministrisë së Drejtësisë’ që u arrestua sot, ishte i dënuar për 8 vepra penale

news image

Policia e Kosovës e ka arrestuar sot Florim Zekajn, të dënuar me 4 vjet e dhjetë muaj burgim për gjashtë vepra penale të mashtrimit dhe dy të flasikifimit, raporton Gazeta Sinjali.

Ai u arrestua me vendim të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pas një pune operativo-hetimore të njësive relevante të policisë së Istogut, për t’u dërguar më pas në Qendrën Korrektuese në Dubravë për vuajtje të dënimit.

Florim Zekaj, i cili sipas të dhënave në profilin e tij në Facebook ishte agjent korrektues në Ministrinë e Drejtësisë po kërkohej nga Gjykata Themelore e Mitrovicës për veprat penale “legalizim të përmbajtjes së pavërtetë”, “mashtrim” dhe “shpërlarja parash”.


Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), Florim Zekaj, akuzohej se më 4 shtator 2010, në ekspoziturën e ‘Jugobankës’ të Serbisë në Zveçan, në bashkëkryerje me Ali Nurqajn, Florim Zeka si ndërmjetësues dhe Ali Nurqaj, kinse Avdi Fekaj, pronar i kursimeve të vjetra devizore, kishin siguruar një letërnjoftim të Serbisë të falsifikuar në emër të Avdi Fekaj me foto të Ali Nurqajt, duke i vënë në lajthim punëtorët e bankës, të cilët kanë besuar se dokumentet janë të vërteta dhe kanë bërë konvertimin e devizave në euro, duke ua lëshuar librezat e reja të kursimeve njërën në vlerë prej 140.165,85 euro dhe tjetrën në vlerë prej 5.218,83 euro.

Me këtë, ata janë akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “legalizimi i përmbajtjes së pavërtetë”, nga neni 334 të KPK-së, shkruan Gazeta Sinjali.

Florim Zekaj, Ali Nurqaj dhe Labinot Ademi, akuzoheshin se më 13 dhjetor 2010, në ekspoziturën e “Jugobankës” në Vranjë të Serbisë, në bashkëkryerje dhe me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, me paraqitjen e rrejshme të fakteve, e kanë mashtruar personelin e bankës që të veprojë në dëm të pasurisë së të dëmtuarit Avdi Fekaj, pasi që me dokumente të falsifikuara kishin aplikuar për tërheqje të kursimeve të vjetra devizore,

Me këtë, janë akuzuar  në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafin 2 lidhur me nenin  23 të KPK-së.

Florim Zekaj, po ashtu akuzohej se më 14 dhjetor 2010, në Istog në ekspoziturën e “ProCredit Bank” me dashje ka bërë konvertimin e të hollave që rrjedhin nga vepra penale e “mashtrimit”, në atë mënyrë që më 13 dhjetor 2010 në ekspoziturën e “Euro Bank”, në Vranjë të Serbisë në bashkëkryerje me të pandehurin Ali Nurqajn kishin tërhequr 66.120 euro nga kursimet e vjetra devizore nga xhirollogaria e të dëmtuarit Avdi Fekaj.

Me këtë vepër, Zekaj akuzohej se ka kryer veprën penale “shpëlarje e parave” nga neni 32 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1  të ligjit 02/L-196  për Parandalimin e Shpërndarjes së Parave dhe Financimit të Terrorizmit.   

Gjykata Themelore në Mitrovicë, në shkurt të vitit 2018, kishte shpallur aktgjykim, me të cilin i akuzuari Zekaj, për veprën penale “legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”, ishte dënuar me burg në kohëzgjatje prej 2 vjetësh, për dy vepra penale “mashtrim”, ishte dënuar me nga 1 vit burg dhe me nga 3,000 euro gjobë, si dhe për shpëlarje të parave, ishte dënuar me 1 vit burg dhe 6,000 euro gjobë.

Dënimi unik që ishte shqiptuar ndaj tij nga gjykata kishte qenë 4 vjet e 10 muaj burgim si dhe 12,000 euro gjobë. Ndërkaq, Zekaj ishte shpallur i pafajshëm për veprën penale të ndihmës në falsifikimin e dokumenteve.

Gjithashtu, ai ishte obliguar të kompensojë të dëmtuarin Avdi Fekaj, në shumë prej 172,944.00 euro, në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në llogarinë e të dëmtuarit Avdi Fekaj. Florim Zekaj, ishte obliguar nga gjykata të kompensojë edhe palën tjetër të dëmtuar, Bekim Maliqin, i cili asnjëherë nuk ishte paraqitur gjatë gjykimit, në shumën prej 61.944.00 euro.

Përveç dënimeve të lartcekura, gjykata, ndaj të pandehurit Florim Zekaj, kishte shqiptuar dënimin plotësues, me ç’rast atij ishte urdhëruar konfiskimi i dy automjeteve dhe gjithashtu gjykata kishte urdhëruar që t’i sekuestrohet shuma e parave që gjendet në llogari të tij, në vlerë prej 11,970 euro.

Këto para, si dhe paratë nga shitja e automjeteve, sipas aktgjykimit të shpallur, do të kalojnë në llogarinë e të dëmtuarit Avni Fekaj, e që do të zbriten në shumën e kompensimit të dëmit./Gazeta Sinjali/