image Ky është ushtari i FSK-së që dyshohet se rrahu bashkëshorten dhe kërcënoi Policinë – Familja e ndau foshnjën 3-muajshe nga gruaja e tij

Siguri

Ky është ushtari i FSK-së që dyshohet se rrahu bashkëshorten dhe kërcënoi Policinë – Familja e ndau foshnjën 3-muajshe nga gruaja e tij

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për arrestimin e një pjesëtari të Forcës së Sigurisë së Kosovës nga Drenasi, i cili dyshohet për dhunë në familje e kanosje ndaj Policisë. I dyshuari, si të gjithë pjesëtarët e tjerë  të këtij institucioni, që do të duhej të ishin persona me vlera të larta personale e profesionale, që respektojnë shtetin e familjen, duket se ka një qasje më ndryshe ndaj familjes e Policisë. Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur identitetin e ushtarit të ndaluar dhe detaje se si u denoncua nga bashkëshortja e tij, për dhunë në familje.

Sinjali mëson se bëhet fjalë për Arbënor Lekun, 25-vjeçar, i cili përveç që dyshohet se shkaktoi dhunë në familje, kreu edhe një veprim tjetër të ndëshkueshëm nga ligji, pikërisht kur u dërgua në mbajtje për veprimin e parë.

Rasti i dhunës në familje për të cilin u denoncua pjesëtari i FSK-së

Arbënor Leku u denoncua nga bashkëshortja e tij, gjatë ditës së djeshme, në stacionin policor në Drenas, për dhunë në familje. Gruaja e tij, e lodhur nga presioni dhe dhuna që ka pësuar nga bashkëshorti që i shërben sigurisë në vend, vendosi të kërkojë ndihmë nga Policia para se të ndodhte diçka më e keqe në familje.

Mosmarrëveshjeve në familjen e pjesëtarit të FSK-së, siç mëson Sinjali u kishte paraprirë një ngjarje mjaft e ulët dhe e trishtë. Familja e të dyshuarit, ia kishte ndaluar nuses, gruas së Arbënor Lekut fëmijën, duke e ndarë foshnjën 3-muajshe nga nëna për muaj me radhë.

Përveç që e ndanë nga fëmija, e problemeve që po përjetonte në familjen e bashkëshortit, ajo pësoi edhe dhunë fizike, pasi dyshohet se u rrah nga burri i saj, i cili i shkaktoi lëndime trupore. Për pasojë ajo u dërgua në Qendrën e Mjekësisë Familjare për të marrë trajtim mjekësor, për shkak të goditjeve që kishte pësuar, shkruan Gazeta Sinjali.

Pas denoncimit të rastit, burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se Policia e ka shoqëruar në stacion policor të dyshuarin, ku pas intervistimit, u ndalua me urdhër të prokurorit për 48 orë.

Por ky vendim vetëm sa e tensionoi situatën. Pjesëtari i FSK-së që do të duhej të ishte shembull për qasje ndaj Policisë së Kosovës, veproi në të kundërtën duke i kanosur policët te Qendra e Ndalimit.

Detaje nga rasti i kanosjes

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ka ndodhur dje, orët e pasdites, pasi Prokuroria urdhëroi ndalimin e të njëjtit, meqë informacionet e mbledhura deri në atë fazë hetimi provonin mjaftueshëm që i dyshuari kishte kryer veprën penale të dhunës në familje.  

I mllefosur për shkak të urdhrit për ndalim policor, pjesëtari i FSK-së dyshohet se ka fyer dhe kanosur seriozisht tre zyrtarë policorë, në hyrje të qendrës së ndalimit, duke iu drejtuar me fjalët “s’jeni njerëz, pasi të dal nga këtu do t’i marr emrat e juaj dhe do të merrem personalisht me ju… e shihni kush jam unë”.

Gjithçka dyshohet se ndodhi te hyrja e Qendrës së Mbajtjes, kur i dyshuari refuzoi t’i prezantojë dokumentet e identifikimit dhe refuzoi të marrë trajtim mjekësor, ashtu siç u udhëzua.

Përballë këtij kërcënimi, zyrtarët policorë e kanë njoftuar Prokurorinë dhe ndaj të njëjtit është hapur edhe një rast, si i dyshuar për veprën penale “kanosje”.

Sinjali mëson se Prokuroria do të ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore që të zbardhen rrethanat e ngjarjes për veprat penale, të cilat dyshohet se i ka kryer pjesëtari i Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/