image Kush është familja që zbatoi Kanunin në Malishevë dhe si nisi lidhja mes nuses e nipit që u ndëshkua me 45 mijë euro nga pleqnarët

Siguri

Kush është familja që zbatoi Kanunin në Malishevë dhe si nisi lidhja mes nuses e nipit që u ndëshkua me 45 mijë euro nga pleqnarët

news image

Drama e dashurisë në fshatin Carallukë të Malishevës që nxiti drejtësi kanunore në vitin 2022 ka nxitur reagime të shumta. Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për këtë rast skandaloz, ku një burrë është ndëshkuar nga pleqnarët me 45 mijë euro dënim në emër të nderit, duke u akuzuar se kishte lidhje dashurie me gruan e familjarit. Sinjali ka mësuar se cila familje ndau drejtësinë me Kanun, në shekullin e 21-të,  duke e detyruar nipin që “ua mori fytyrën” të paguajë mijëra euro, me qëllimin për të vendosur nderin e humbur të familjes.

Gjithçka dyshohet se u zbulua në fillim të këtij viti, kur burri nga fshati Carallaukë ngriti dyshimet se gruaja e tij po e tradhton me nipin e familjes, nga fshati Bubavec.  Gazeta Sinjali ka mësuar se dy familjet që tentuan të rregullojnë raportet duke zbatuar Kanunin janë familja Hoti nga Caralluka, që e detyruan nipin e familjes Bashota nga Bubaveci të paguante në emër të nderit.

Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se lidhja e dashurisë që nxiti të aplikohej një formë e tillë sanksionimi duket se ka zënë rrënjë plot katër vite më parë. Gruaja e S.Hotit nga Caralluka dyshohet se nisi një lidhje dashurie me nipin e familjes së burrit, M.Bashota., por që nuk u zbuluan deri në fillim të këtij viti.

M. Bashota dyshohet se nisi lidhjen me gruan e S.Hotit. F.Hotin, para disa vitesh derisa ky i fundit ndodhej në Gjermani. Shkëndijat e para mes tyre dyshohet se u ndezën kur nipi kishte filluar të rregullonte shtëpinë e S.Hotit, ku shkonte si mjeshtër.

Akuzat për tradhti u ngritën në janar të këtij viti, kur krisi sherri në familje. Bashkëshortët Hoti vendosën të ndahen, por për nipin vendosën pleqnarët e lagjes, duke e dënuar me 45 mijë euro, ashtu që pjesën e parë prej 25 mijë eurosh ta paguajë në ditën e gjykimit me Kanun, kurse 20 mijë euro të tjera të paguhen më 10 gusht.

Por Kanuni siç duket nuk ua zgjidhi problemin dy familjeve edhe pse u shqiptua një dënim. Ky rast u zbulua edhe në Polici, duke i zënë sherri edhe me ligj.

Sinjali ka mësuar se gjithçka u zbulua pasi gruaja e S.Hotit e denoncoi atë për dhunë në familje.

Në dëshminë e dhënë gjatë intervistimit para hetuesve policorë, ajo ka deklaruar se ka pësuar dhunë nga burri i saj për shkak të dyshimeve që ishin ngritur në familje se ajo po e tradhton atë me një familjar të tij.

Pas denoncimit të rastit, Policia është vënë në lëvizje dhe ka arrestuar bashkëshortin e saj S.Hoti. Pretendimet e viktimës u vërtetuan nga vjehrri i saj, i cili e ka pranuar se pleqtë e lagjes e kanë dënuar nipin e familjes në emër të nderit.

Lidhur me rastin, Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka marrë vendim që rasti të iniciohet si “detyrim” dhe të sigurohet prezenca e të dëmtuarit, ashtu që që të merren gjitha versionet e këtij gjykimi përmes Kanunit. Prokurori po ashtu ka urdhëruar që 25 mijë euro të mbesin edhe më tutje te kryefamiljari i familjes Hoti, derisa të intervistohet i dëmtuari dhe nuk është bërë sekuestrimi i kësaj shume që pretendohet se është dhënë me detyrim.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/