image Kusari-Lila nuk përkrahë pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri

Politikë

Kusari-Lila nuk përkrahë pjesëmarrjen e Vetëvendosjes në zgjedhjet në Shqipëri

news image

Ushtruesja e detyrës së shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka deklaruar se nuk është në një linjë me vendimin LVV-së, për pjesëmarrje në zgjedhjet nacionale në Shqipëri.

Ajo në një intervistë për “Abc News” në Shqipëri, ka thënë se ka një bindje tjetër, por që nuk ka specifikuar se cila është ajo.

“Ky është një aspekt në të cilin Lëvizja Vetëvendosje ka pasur një vendim, pjesë e të cilit nuk jam, për faktin se kam një bindje tjetër në këtë raport me pjesëmarrjen në zgjedhje”, tha ajo.

Kusari-Lila, e cila është kryetare e “Alternativës” por që është pjesë e grupit parlamentar të LVV-së, shtoi se ende nuk ka vendosur nëse do të marrë pjesë si votuese në zgjedhjet në Shqipëri, pasi posedon edhe pasaportën e shtetit shqiptar.

“Megjithatë unë mbaj edhe pasaportën e Republikës së Shqipërisë. Asnjëherë deri më tash nuk kam marr pjesë në procesin zgjedhor. Nuk e di ende, nuk kam vendosur nëse do të votoj kësaj here. Nuk i kam përcjell kandidatët në fushatë, por gjithsesi që nga kjo anë e kufirit ju dëshiroj më të mirën gjithë shqiptarëve”, tha ajo në këtë intervistë.

Zgjedhjet nacionale në Shqipëri do të mbahen më 25 prill të këtij viti. Në këto zgjedhje tre kandidatë nga LVV-ja do të garojnë për deputetë.

/GazetaSinjali/