Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka komentuar mbi mocionin për rrezikimin e Qeverisë të iniciuar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvend, duke thënë se është qesharak si iniciativë.
Ajo ka theksuar se mocioni në fjalë nuk mund të kalojë pasi sipas saj dihet aritmetika e numrave në Kuvendin e Kosovës.
“Kjo është qesharake në kuptimin e iniciativës, për arsye se nuk ka matematikë e cila e tregon të qëndrueshëm këtë mocion të AAK-së në raport me numrat të cilët janë në Kuvend. Sot AAK-ja e ka pasur në agjendë të Kuvendit, votimin e Rezolutës së tyre për dy-vjetorin e qeverisjes Kurti, debat ky që është zhvilluar në Kuvend. Dhe a e dini sa deputetë të tyre kanë qenë prezent, zero, as edhe një i vetëm, nuk kemi pasur se çka të votojmë. Kaq serioze është prezenca e tyre edhe opozitarizmi i tyre”, ka deklaruar Kusari Lila në RTV Dukagjini.
E pas kësaj deklarate, ka reaguar shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri i cili tha se mocioni është pasojë e situatës së rëndë që është Kosova, duke vijuar se nuk është korrekte nga ana e Kusari-Lilës të minimizojë rolin e AAK-së në Kuvend.
“Ne e kemi nisur mocionin pasi mendojmë se kryeministri Kurti e ka futur Kosovën në rrugë qorre dhe jemi në një situatë krize. Shefja e deputetëve të LVV-së e di shumë mirë se cila është fuqia e AAK-së në Kuvend në lidhje me shumë ligje ku nevojitet shumica e kualifikuar e votave…Pa votat tona nuk mund të kalojnë marrëveshjet ndërkombëtare. Tash Mimoza po thotë se votat e AAK-së nuk kanë kurrfarë roli”, ka deklaruar ndër të tjera Tahiri.
Ndryshe, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj kishte paralajmëruar se ka votat e mjaftueshme për të rrëzuar Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti me një mocion mosbesimi.