image Kurti: T’i dëgjojmë fëmijët tanë, t’i duam, t’i respektojmë

Sociale

Kurti: T’i dëgjojmë fëmijët tanë, t’i duam, t’i respektojmë

news image

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka mbajtur sot fjalim në Konferencën e Tretë Ndërkombëtare për Shëndetin, Mirëqenien, Edukimin dhe Të Drejtat e Fëmijëve.

Sot, për nder të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve, Kurti në fjalim theksoi se prindërit duhet t’i dëgjojnë fëmijët e tyre edhe më shumë dhe t’i kuptojnë shqetësimet e tyre.

“T’i dëgjojmë fëmijët tanë, me të vërtetë t’i dëgjojmë, t’i duam, t’i respektojmë, t’i kuptojmë dhe t’i pranojmë, çdo ditë dhe tërësisht. Të mësojmë për shqetësimet e tyre, ta ngrisim vetëbesimin e tyre, dhe t’ua demonstrojmë respektin”, tha ai.

Ndër tjerash, kryeministri në detyrë Kurti shtoi se gati të gjitha prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve.

Në fjalën e tij ai tha se fëmijët duhet të shihen si qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët. Prandaj është thelbësore se si ne i edukojmë fëmijët, si në familje ashtu edhe në shkolla dhe komunitet.

Kryeministri në detyrë Kurti ngriti shqetësimin se në Kosovë mbështetja nga babai për të mësuar është shumë më e ulët sesa nga nëna, ku 6% të baballarëve u ndihmojnë fëmijëve me mësime, krahasuar me 42.8% të nënave.

Fjala e plotë e kryeministrit në detyrë Kurti:

Përshëndetje të gjithëve, pjesëmarrës dhe mysafir të konferencës së sotme. Së pari, ju falënderoj që keni organizuar këtë konferencë për të tretën herë, e këtë vit po organizohet jo vetëm në ditën e fëmijëve të 1 qershorit, por edhe në ditën që Qeveria hapi çerdhet për të gjithë fëmijët pas gati tre muaj ndërprerje.

Bëhen shumë anketa dhe hulumtime kudo përreth botës që të nxirren rezultate drejt avancimit të çështjeve të caktuara. Megjithatë nuk kam dëgjuar se është bërë ndonjë anketë apo hulumtim se si fëmijët do ta ndërtonin një shoqëri ku ata do të donin të jetonin. Rezultatet mundemi vetëm t’i hamendësojmë, por besoj se do të pajtoheshim se ajo shoqëri e ndërtuar nga fëmijët do të ishte shumë më gazmore, më e drejtë, më e sinqertë dhe më e dashur.

Prioritetet tona, sado të rëndësishme, nuk bën të na largojnë vëmendjen nga ëndrrat e fëmijëve. Ato për të cilat ne angazhohemi sot si individ e si shoqëri, do të trashëgohen nga fëmijët, prandaj pyetja që ne të rriturit duhet t’ia bëjmë vetes, është se cila është ajo e ardhme që po ua ndërtojmë fëmijëve? A janë veprimet tona sot në shërbim vetëm të familjeve tona të ngushta apo të të gjithë shoqërisë? Si udhëheqës, kemi përgjegjësinë më të lartë që të prijmë përmes shembullit. Për fëmijët duhet të ofrojmë shembuj të mirë për t’u ndjekur.

Dëshira për t’u dëgjuar është më e përhapura nga të gjitha dëshirat tona shoqërore. Secili nga ne duam që zëri ynë të dëgjohet, që roli ynë të njihet e që kontributi ynë të vlerësohet. E kjo nevojë është edhe më e shprehur te fëmijët dhe të rinjtë, të cilët duan të flasin vetë, më shumë sesa që ne t’u flasim atyre. Rrallëherë kanë nevojë për një folës të mirë sa për një dëgjues të mirë, apo për një kritik sa për një model. Shkolla dhe familja, duhet dhënë më shumë mundësi fëmijëve dhe të rinjve për ta shprehur mendimin e tyre. E drejta e fëmijëve për t’u shprehur si në Kosovë ashtu edhe në vendet tjera po humbet nga ata që kanë harruar të dëgjojnë. T’i dëgjojmë fëmijët tanë, me të vërtetë t’i dëgjojmë, t’i duam, t’i respektojmë, t’i kuptojmë dhe t’i pranojmë, çdo ditë dhe tërësisht. Të mësojmë për shqetësimet e tyre, ta ngrisim vetëbesimin e tyre, dhe t’ua demonstrojmë respektin që ata e meritojnë dhe duhet ta kenë nga vetja dhe të tjerët.

Qeveria jonë kërkon të sjellë ndryshime thelbësore në këtë drejtim. Gati të gjitha prioritetet më të rëndësishme të shoqërisë dhe ekonomisë sonë, ndërlidhen drejtpërdrejt me shëndetin, mirëqenien, edukimin dhe të drejtat e fëmijëve. Fëmijët duhet të shihen si qytetarët e ardhshëm të demokracisë sonë të përbashkët. Prandaj është thelbësore se si ne i edukojmë fëmijët, si në familje ashtu edhe në shkolla dhe komunitet. Shumë shpesh, fëmijët i nënshtrohen sjelljes autoritare nga prindërit dhe mësuesit. Kjo i bën ata të paaftë të rriten si qytetarë të mirëfilltë demokratikë. Fëmijët duhet të aftësohen gradualisht për të ushtruar përgjegjësitë e qytetarisë. Kjo do të thotë t’u jepet atyre një zë të shtuar brenda familjes dhe shkollës, t’u mësosh atyre të mendojnë në mënyrë kritike dhe të flasin kundër padrejtësive, kudo që t’i gjejnë.

Shërimi i botës është edhe bamirësi dhe drejtësi. Vlerat e empatisë dhe vullnetarizmit, inteligjenca emocionale te fëmijët, duhet të ketë rëndësi aq sa inteligjenca kognitive. Aftësia për ta kuptuar perspektivën e tjetrit është hapi kryesor drejt qytetarizmit aktiv, dhe është e domosdoshme për parandalimin e delikuencës në të ardhmen. Duke menduar e angazhuar për vetvete e për të tjerët, duhet që fëmijët t’i bëjmë pjesë e ndryshimeve shoqërore që tani, t’i mësojmë për organizimin dhe koordinimin me të tjerët kundër padrejtësisë dhe përmes bamirësisë. Përndryshe, ne ua mohojmë ndër mësimet më të rëndësishme për jetë që do t’i mbronte dhe fuqizonte përballë çdo sfide. Pra, ta ngrisim vetëdijen qytetare nga mosha e fëmijërisë duke biseduar me ta dhe duke shërbyer si shembuj të mirë.

Ka indikatorë shqetësues se Kosova nuk po bën sa duhet për ta mbrojtur sigurinë e fëmijëve. Kemi probleme në nivel të lartë me varfërinë dhe ka vështirësi të mëdha në ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse me shërbime sociale. Përveç fëmijëve që jetojnë në varfëri, 11% të fëmijëve janë të përfshirë në punë dhe 7% të tyre punojnë në kushte të rrezikshme. 61% të fëmijëve, deri në moshën 14 vjeçare kanë vuajtur nga dhuna psikologjike dhe fizike. Shpenzimet për mbrojtjen sociale janë më të ulëtat në rajon. Kosova shpenzon vetëm 6% të bruto produktit vendor për mbrojtje sociale krahasuar me vendet e tjera në rajon dhe Evropë, të cilat shpenzojnë 10–18%. Programet e mbrojtjes sociale nuk janë të përqendruara në reduktimin e varfërisë apo rritjen e barazisë. Fëmijët nuk janë jetim vetëm kur nuk kanë prindër por edhe kur nuk kanë shtet. Duhet të kujdesemi për veteranët e luftës, por edhe më shumë për fëmijët e paqes.

Problemet tjera që i dimë të gjithë dhe besoj se do të diskutohen në këtë konferencë janë vijueshmëria e ulët në edukimin e hershëm dhe cilësia e dobët e arsimit; ngacmimi, bullizmi dhe format tjera të dhunës fizike dhe psikologjike; stigmatizimi dhe qasja e pamjaftueshme për fëmijët me nevoja të veçanta; dhe pabarazia sociale e gjithanshme mes fëmijëve në zona urbane krahasuar me ato  rurale, djemve karshi vajzave, shumicës kundrejt pakicave, etj.

Po ashtu, duhet të investojmë në mbrojtjen e mjedisit për të ngritur cilësinë e ajrit. Asnjë grup nuk është më i prekshëm ndaj dëmtimit të mjedisit, dhe asnjë kategori nuk do t’i përjetojë pasojat e këtij dëmtimi, si fëmijët. Ndotja e ajrit, ndotja e ujit dhe ekspozimi ndaj substancave toksike, së bashku me llojet e tjera të dëmit mjedisor, shkaktojnë vdekje të parakohshme dhe sëmundje kronike. Një raport nga Agjencia Evropiane e Mjedisit arriti në përfundimin se Kosova ka përqendrimin ndër më të lartat në Evropë të grimcave të rrezikshme PM 2.5, një situatë që ka kontribuar në 3,700 vdekje të parakohshme në Kosovë. Qeveria jonë e konsideron detyrë parandalimin e dëmtimit të mjedisit; të sigurojë programe arsimore që rrisin mirëkuptimin dhe aftësinë e fëmijëve për çështjet mjedisore; dhe, të lehtësojë pjesëmarrjen e fëmijëve në proceset e vendimmarrjes. Ndër hapat e parë që kemi marrë në qeverisje ishte të anulonim vendimin për kushtet ndërtimore për lagjen që po tentohej në afërsi të Liqenit të Badovcit. Kemi marrë edhe vendime të tjera që e kanë për synim pastrimin e ujit dhe ajrit.

Teksa po dalim nga pandemia Covid-19, duhet të punojmë shumë drejt përmirësimit të cilësisë dhe rezultateve të arsimit, dhe të sigurojmë që fëmijët me aftësi të kufizuara përfshihen në shëndetësi, arsim dhe sport nga niveli parashkollor. Qeveria jonë, me qëllim të përgatitjes dhe aftësimit të nxënësve, ka destinuar më shumë përkrahje buxhetore për objekte parashkollore, ndërtim të shkollave të reja dhe të sallave të edukatës fizike, e sidomos modernizim të infrastrukturës në të gjitha nivelet (pra, më shumë laboratore, mjete konkretizimi, literaturë fizike e elektronike, digjitalizim të materialeve e infrastrukturës mësimore). Ne besojmë se shkollat duhet të mbajnë përgjegjësi për suksesin që tregojnë fëmijët. Prandaj, në rast të rezultateve jo të kënaqshme në testet shtetërore, duhet shqyrtuar masat e përgjegjësisë ndaj drejtuesve dhe mësimdhënësve. Në bashkëpunim me “Save the Children”, po ashtu kemi lansuar platformën për mësimin gjithëpërfshirës për fëmijët me nevoja të veçanta.

Edhe vetë jam prind, dhe kam thënë se shkolla duhet të bëhet shtëpi, e shtëpia shkollë. Në Kosovë, mbështetja nga babai për të mësuar është shumë më i ulët sesa nga nëna, ku 6% të baballarëve u ndihmojnë fëmijëve me mësime, krahasuar me 42.8% të nënave. Këtë duhet ta ndryshojmë. Babai duhet të jetë barabartë i pranishëm në jetën e fëmijës por edhe në punët e familjes. Angazhimi i barabartë i prindërve në shtëpi është shembulli më i mirë që mund të bartet te fëmija në mënyrë që barazia, pra edhe barazia gjinore, të vijë natyrshëm. Ndoshta edhe më shqetësues është fakti që këto statistika tregojnë se gjysma e fëmijëve nuk marrin mbështetje nga asnjëri prind, as nga nëna as nga babai. Institucionet duhet të kryejnë pjesën e tyre dhe të sigurojnë kushtet që mungojnë, por mos harroni se asnjë program qeveritar apo shkollor nuk mund të zëvendësojë rolin e prindërve dhe familjes. Të gjithë prindërit duhet të kujdesen që nxitja për mësim dhe lexim, dhe për zhvillim të shëndoshë, t’i përcjellin fëmijët edhe në shtëpi, përveçse në shkollë.

Edukimi në familje ndërlidhet edhe me të drejtat e grave pasi që familja është aty ku mësohen rolet gjinore. Shumë familje indoktrinojnë vajzat e tyre për të besuar se punët e shtëpisë i takojnë grave dhe vajzave dhe se jeta e tyre kryesore në të ardhmen është të shërbejnë si grua dhe nënë, dhe jo si avokate, mjeke, inxhiniere apo pronare biznesi. Dhe shumë familje indoktrinojnë djemtë e tyre për të parë motrat dhe nënat e tyre si jo të barabarta. Pra kemi vajza “të nënvlerësuara” karshi djemve “të mbivlerësuar”. Konventa e OKB-së kundër Diskriminimit ndaj Grave, e cila sipas Kushtetutës është drejtpërdrejt e zbatueshme në Republikën e Kosovës, flet qartë lidhur me këtë temë. Ajo përcakton se: “Shtetet palë marrin të gjitha masat e përshtatshme . . . për tё ndryshuar karakteristikat dhe modelet sociale e kulturore të sjelljes së burrit dhe të gruas, në mënyrë që të arrijnë të zhdukin paragjykimet dhe praktikat zakonore, dhe tё gjitha praktikat e tjera që mbështeten në idenë e inferioritetit ose të superioritetit të njërit apo tё tjetrit seks, ose në rolet stereotipe të burrit dhe të gruas”. Sidomos në një shoqëri si e jona, e cila vlerëson jetën familjare mbi të gjitha, obligimi për të luftuar idenë e inferioritetit ose të superioritetit të njërit apo të tjetrit seks, apo për të sfiduar rolet sterotipike të burrit dhe të gruas, duhet patjetër të fillojë brenda familjes, me edukimin e fëmijëve. Të drejtat e grave fillojnë me të drejtat e vajzave. Shembulli se si djemtë duhet të sillen ndaj vajzave, se si burrat duhet të sillen ndaj grave, tregohet dhe modelohet fillimisht në mënyrën se si babai sillet ndaj nënës.

Le të punojmë që fëmijëve në mbarë vendin t’ua ndërtojmë të ardhmen që ata e meritojnë; të kujdesemi që çdo fëmijë të ketë shtratin e butë, e shtëpinë e sigurt; të kujdesemi që të ketë ushqimin e mirë dhe praninë e kujdesin e prindërve; të kujdesemi që të ketë shkollimin cilësor dhe mundësitë e barabarta. Unë ju falënderoj që më ftuat të flas sot para jush. Ishte një nder për mua dhe uroj që kjo konferencë të kontribuojë sa më shumë në përmirësimin e jetës së të gjithë fëmijëve të Kosovës, si në ditët e sotme ashtu edhe në brezat e ardhshëm./ Gazeta Sinjali/