image Kurti takon kongresisten Slotkin, merr mbështetje për anëtarësim të Kosovës në NATO

Politikë

Kurti takon kongresisten Slotkin, merr mbështetje për anëtarësim të Kosovës në NATO

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është takuar me kongresisten Elissa Slotkin në Uashington D.C. me të cilën ka diskutuar për marrëdhënien e veçantë mes të dyja vendeve, zhvillimet gjeopolitike në Evropë dhe sigurinë e rajonit pas agresionit të paprovokuar dhe të pajustifikuar të Federatës Ruse ndaj Ukrainës.

Kurti e njoftoi kongresisten Slotkin për vendimet, politikat dhe rezultatet kryesore të qeverisjes së deritanishme, me theks te rritja ekonomike dyshifrore, luftimi i korrupsionit dhe përmirësimi i indikatorëve të demokracisë sipas vlerësimeve të raporteve të organizatave ndërkombëtare. 

Ai shtoi se duke iu bashkëngjitur botës demokratike në dënimin e agresionit rus dhe vendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse dhe duke strehuar qytetarët afganë në Kosovë, Kosova ka treguar lidership dhe ka dëshmuar se është partnere e besueshme e aleatëve të saj.

Në anën tjetër, kongresistja Slotkin i uroi mirëseardhje në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo tha se asnjë shtet nuk mund të qëndrojë neutral në mes Rusisë dhe Ukrainës dhe se edhe një herë jemi në një epokë që çdo shtet duhet të zgjedhë anë. Më tej, ajo e falënderoi Kurtin dhe Republikën e Kosovës për ndihmën që i kanë ofruar Shteteve të Bashkuara të Amerikës në strehimin e qytetarëve afganë.

“Faleminderit për ndihmën tuaj atëherë kur kishim nevojë shumë për ju”, tha kongresistja Slotkin. Ajo gjithashtu shprehu mbështetjen e saj të plotë për Kosovën dhe aspiratat e saj për anëtarësim në organizata rajonale dhe ndërkombëtare, në veçanti në NATO, njofton Zyra e Kryeministrit.

/GazetaSinjali/