image Kurti sot në Antali, zyra e tij tregon arsyet pse nuk shkoi në ditën e parë të Forumit - Sinjali

Kurti sot në Antali, zyra e tij tregon arsyet pse nuk shkoi në ditën e parë të Forumit

news image

Zyra për Komunikim me Publik e Kryeministrit të Kosovës, ka njoftuar se kryeministri Albin Kurti do të marrë pjesë vetëm në ditën e fundit të Forumit për Diplomaci në Antali të Turqisë, me 12 mars.

Sipas njoftimit, Kurti do të jetë gjithashtu edhe pjesë e panelit të diskutimit me temë “Përfaqësimi i Ndryshimit”.

Kurti ka anuluar pjesëmarrjen për ditën e parë të forumit për shkak të situatës së krijuar me rritjen e çmimeve në mënyrë të shpejtë në Kosovë.

Në ditën e parë të forumit, parashihej edhe mbajtja e disa takimeve bilaterale dhe pjesëmarrja në darkën e shtruar nga presidenti turk, Reccep Tayyip Erdogan.

“Ai kishte anuluar pjesëmarrjen në ditën e parë dhe hapëse të Forumit të Diplomacisë në Antali të Turqisë. Gjatë ditës së sotme ishte planifikuar që të merrte pjesë në hapjen e Forumit krahas krerëve të shteteve të ndryshme të botës, të realizonte disa takime bilaterale dhe të merrte pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan. Arsyeja e anulimit të pjesëmarrjes për ditën e parë ishte situata e krijuar nga rritja e çmimeve të produkteve bazike dhe nevojës për marrjen e masave nga qeveria. Ndërkaq, sot në mëngjes ai bashkë me ministren e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock mori pjesë në inaugurimin e parkut të ri të erës në Selac dhe Bajgorë, të cilin Kryeministri Kurti e vlerësoi si investim strategjik”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin