image Kurti: Shkëmbimi i territoreve dhe Zajednica e kanë zanafillën te marrëveshja sekrete e Thaçit - Sinjali

Kurti: Shkëmbimi i territoreve dhe Zajednica e kanë zanafillën te marrëveshja sekrete e Thaçit

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media të thirrur sot ka thënë se pas publikimit të marrëveshjes sekrete të Thaçit me Rasmussenit, shkëmbimi territorial e ka pasur zanafillën në prill të 2013.

“Kjo marrëveshje në të cilën shpiket togfjalëshi Kosova Veriore dhe thuhet se atje nuk do të shkojë FSK-ja pa dakordim paraprak me KFOR-in, që as nuk mori miratim paraprak nga Institucionet e Kosovës dhe as më pastaj nuk u informua Kuvendi i Republikës së Kosovës, tregon fakt që Zajednica dhe shkëmbimi territorial nuk janë dy gjëra të ndryshme. Kjo marrëveshje tregon këtë gjë”, ka thënë fillimisht Kurti.

I pari i qeverisë më tutje ka treguar që kur flitet për shkëmbim territorial padyshim se është në pyetje edhe ushtria, shkruan Gazeta Sinjali,

“Në momentin kur liderët politikë flasin për territore padyshim se aty është edhe ushtria në pyetje. Paskemi pasur një zmbrapsje të njëanshme më 19 prill 2013 dhe natyrisht që në këto dy vite kur qarkullonte ideja për shkëmbim territorial, kjo e paska pasur një zanafillë dhe kjo zanafillë është zyrtare, shtetërore, por edhe sekrete”, ka thënë ai.

Gjatë ditës së sotme, i pari i qeverisë përmes një shkrese zyrtare e ka informuar kryetaren e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani rreth një marrëveshje sekrete që Hashim Thaçi asokohe si kryeministër i Kosovës e kishte nënshkruar me sekretarin e atëhershëm të NATO-s, Andres Fogh Rasmussen.

Sipas vlerësimit kushtetues të lëshuar nga Zyra Ligjore e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese dhe kjo përbën bazë për të nisur procedurat për shkarkimin e tij./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin