image Kurti: Shiu nxori në pah dështimet e keqqeverisjes 20-vjeçare

Kosovë

Kurti: Shiu nxori në pah dështimet e keqqeverisjes 20-vjeçare

news image

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, thotë se vërshimet që dëmtuan shtëpi e objekte të shumta këto ditë, e që lanë shumë familje pa strehim, janë dështime që nxorën në pah keqqeverisjen për 20 vjet, shkruan Gazeta Sinjali.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka përmendur edhe asfaltet që ka vite që bëhen çështje e diskutimeve për harxhime të majme në tenderë.

Ka përmendur gjithashtu se do të kërkojnë nga Prokuroria që të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset.

“Shiu ka nxjerrë në pah edhe dështimet e keqqeverisjes 20 vjeçare. Asfaltit me të cilin partitë e vjetra duan të marrin vota, u rishfaq si të ishte një qilim i lagur. Rrugët u prishën prej shembjeve të dheut, e të gjithë pamë se shtresa e asfaltit ishte e hollë dhe mungonin bazamentet siç i kërkon standardi inxhinierik. Pyjet janë prerë pa kontroll e pa plan. Brigjet e lumenjve janë rrënuar nga eksploatimet e egra të zhavorit. Gurthyesit pranë rrugëve të asfaltuara kanë eliminuar mbrojtjen që ofrojnë kodrinat për shtigjet qarkulluese”, shkruan ndër tjera.

Kurti thotë se është alarmuese situata në të cilën gjendet Kosova pas reshjeve të mëdha e vërshimeve që pasuan.

“Rrallë ka mbetur ndonjë vend ku nuk janë bllokuar e nuk kanë shpërthyer kanalizimet, ndërkohë që gjithë kompanitë rajonale të ujësjellësit po aplikojnë kufizime, sepse fabrikat e ujit nuk po mund ta përballojnë pastrimin e ujit të turbulluar prej vërshimeve”, shton Kurti.

Ka kujtuar se nga këto vërshime është dëmtuar edhe shtëpia muze e nënës Ferdonije Qerkezi. Janë prekur Gjakova. Gjilani, Drenasi, Ferizaj, Fushë-Kosova, Vushtrria, Klina, Malisheva, Lipjani, Prizreni e komuna tjera dhe disa vende në Prishtinë.

“Përballë forcave të natyrës njeriu është shpesh i vogël për t’u mbrojtur, e megjithatë, shtetet e organizuara mirë dallojnë prej të tjerave pikërisht sepse janë të përgatitur me dije e me struktura për të administruar me sa më pak kosto edhe probleme të tilla”, thotë tutje Kurit.

Populli i Kosovës, tha ai, këtë organizim funksional dhe këtë përkujdesje e mbrojtje, me të drejtë e kërkon dhe e pret nga shteti i vet.

Ne do të insistojmë që Prokuroria menjëherë të hap hetimet për ndërtuesit e rrugëve, pronarët e gurthyesve, inspektorët e mbikqyrësit, por edhe për politikanët që kanë shpallur e kanë marrë vendim për tenderët dhe për konkurset. Është marre dhe është mëkat që me taksat e këtij populli të paguash çmimin shumë të shtrenjtë për rrugët krahasuar me rajonin, e në fund ato të jenë të cilësisë më të dobët”, thotë Kurti tutje.

Megjithatë, thotë Kurti, “jemi optimistë sepse keqqeverisjen e krimin do t’i largojmë prej pushteti, e dalëngadalë do të punojmë së bashku me të gjithë ata që e duan punën e ndershme, që e respektojnë ligjin, që të forcohemi si vend”.

/Gazeta Sinjali/