image Kurti sërish kërkon mbështetje për liberalizimin e vizave në Bruksel

Politikë

Kurti sërish kërkon mbështetje për liberalizimin e vizave në Bruksel

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të vizitës zyrtare në Bruksel, është pritur në takim nga Olivér Várhelyi, Komisioner për Fqinjësi dhe Zgjerim, shkruan Gazeta Sinjali.

Në takim u bisedua për procesin e liberalizimit të vizave dhe kryeministri Kurti përsëriti kërkesën që shtetet anëtare brenda Këshillit të BE-së të marrin sa më parë  vendim pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në kumtesën e kryeministrisë, thuhet se Kurti theksoi angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma dhe e vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Evropian në finalizimin e këtij procesi.

Kurti falënderoi Komisionin për punën që po bën për të bindur vendet anëtare skeptike për mbështetjen e një vendimi pozitiv në Këshill. Ai tha që shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të trajtohen si anëtarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian.

Në takim ishin edhe zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi dhe zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz./Gazeta Sinjali/