image Kurti serbëve të Kosovës: Mos u ndikoni nga Beogradi, atje nuk ka interes për të drejtat tuaja

Politikë

Kurti serbëve të Kosovës: Mos u ndikoni nga Beogradi, atje nuk ka interes për të drejtat tuaja

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga serbët e Kosovës që të mos ndikohen nga regjimi autoritar në Beograd. Në një video të publikuar, pas protestës së sotme të serbëve, Kurti në serbisht ka thënë se qeveria serbe nuk brengoset për mirëqenien e serbëve të Kosovës.

Kurti ka thënë se zyrtarët në Beograd kërkojnë destabilizimin e Kosovës për qëllime elektorale, ose për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe.

“Ju lutem që të mos ndikoheni nga regjimi autoritar në Beograd. Atyre nuk iu interesojnë të drejtat dhe përfitimi i serbëve në Kosovë. Ata përpiqen ta destabilizojnë Kosovën, për qëllimet e tyre zgjedhore e ndoshta edhe për interesat luftëndjellëse të ndonjë fuqie të madhe”, ka thënë ai.

Kurti ka kërkuar nga qytetarët serbë që ta ruajnë qetësinë, duke i siguruar se qeveria e Kosovës u shërben të gjithëve njësoj, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo fetare.

“Prandaj qytetarë të dashur, ju ftoj që ta ruani qetësinë dhe të besoni më shumë te Qeveria e Kosovës. Rritja ekonomike, lufta kundër korrupsionit, rritja e eksportit, të ardhurat nga tatimet dhe doganat, rritja e investimeve të huaja dhe e buxhetit të shtetit, na japin shpresë neve që jetojmë këtu. Ne jemi të përkushtuar për avancimin e të drejtave dhe mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë etnike apo fetare. Dyert tona janë të hapura”, ka thënë Kurti mes tjerash.

/GazetaSinjali/