Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj thotë se nuk e kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit. Sipas tij, AAK nuk dëshiron rinumërim dhe përmbysje të rezultateve.
“Në votat e numëruara kemi mbi 90 mijë vota, që janë 11, 5 përqind. Ndërsa, sapo të përmbyllet numërimi i votave të rregullta mbesin edhe ato të diasporës edhe të atyre me kusht. Ka shumë vota me kusht në Prishtinë, Gjakovë dhe Mitrovicë. Nga trendi që shihet që ne jemi afër 100 mijë vota. Që është numër i madh dhe besim i qytrtarëve. Krahasuar me zgjedhjet e kaluara është një rritje e ndjeshme. Rreth 35 përqind rritje. I falënderojmë të gjithë për votat e dhëna. AAK në këtë rast koalicioni ynë pranon rezultatin, nuk kërkojmë rinumërim apo nuk e kontestojmë votat, as nuk kërkojmë përmbysje të rezultatit. Ne e respektojmë qytetari nuk na ka jep të drejtën për formimin e Qeverisë, ia ka jep partive ttjera, dhe ne i urojmë. Ne do ta përkrahim ata në këto tema që i kemi listuar, po nuk do të ketë kompromis”, tha ai.
Haradinaj tha se AAK-së së i takojnë 14 ose 15 deputetë në Kuvendin e Kosovës. E sa i përket koalicionit me PSD-në Haradinaj tha se është për të udhëtuar gjithnjë së bashku, por që nuk kanë ndonjë bisedë për të ardhmen.
Megjithëse kreu i VV-së, Albin Kurti duket se nuk preferon të bëjë koalicion me AAK-në, në rast të ndonjë ftese nga Lëvizja Vetëvendosje Haradinaj tha se të gjithë e dinë se çka mendon për liderin e partisë Albin Kurtin.
“Për fat të keq nuk është ajo që është premtuar, është lloj mashtrimi. Shpresoj të jem gabim. Ne nuk kemi pozicion për individ, por kemi pozicion për tema”, tha Haradinaj.
Sa i përket asaj se a mund të formohet Qeveria pa Listën Serbe Haradinaj tha se kjo është në dorën e fituesit të zgjedhjeve.
Haradinaj në këtë konferencë tha se do të bashkëpunojnë edhe me pozitën dhe opozitën, e pasi që së bashku me PDK-në do të jenë në opozitë, tha se do të ketë bashkëpunim atëherë kur do të ketë qëndrime të drejta në tema.