Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur se po e zbatojnë marrëveshjen e arritur në Bratisllavë, ku nisur nga java e kaluar është reduktuar numri i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në tri ndërtesat e komunave veriore.
Ai tha se tash, Qeveria po fillon të hapë rrugë për zgjedhje të parakohshme.
“Që nga java e kaluar, ne kemi reduktuar praninë e Policisë së Kosovës me 25% në 3 objektet e komunave veriore. Tani po fillojmë ta hapim rrugën për zgjedhje të parakohshme. Kosova tashmë po zbaton me mirëbesim marrëveshjen me Bashkimin Evropian dhe të dërguarin special për shtensionimin e arritur në Bratislavë”, tha Kurti, në një postim në Twitter.
Kujtojmë se kryenegociatori i Kosovës në dialog, Besnik Bislimi, bashkë me të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ranë dakord për hapat tutje për shtensionim të situatës në veri, ku një nga ta ishte edhe reduktimi për 25 për qind i forcave policore në dhe rreth objekteve komunale në veri.