image Kurti pret Sobotkan: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet e plotë, pa vonesa e kushtëzime

Politikë

Kurti pret Sobotkan: Marrëveshja e Ohrit të zbatohet e plotë, pa vonesa e kushtëzime

news image

Në ditën që u mbajt për herë të parë konferenca ”Vienna Economic Talks”, në Prishtinë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti Wolfgang Sobotkan, në vizitën e tij të parë zyrtare si Kryetar të Kuvendit të Republikës së Austrisë.

Ai tha se sot ishte një ditë e veçantë për të meqë në mëngjes mirëpriti Forumin Ekonomik të Vjenës, kurse orët zyrtare të punës, po i përmbyll me takimin me Kryetarin e Kuvendit austriak, Sobotka.

Në takimin që u zhvillua në ndërtesën e Qeverisë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen në çdo fazë të historisë së re të vendit dhe marrëdhëniet e shkëlqyeshme dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, të cilat janë të hershme dhe për të cilat angazhohemi që t’i forcojmë çdo ditë.

Gjatë bisedës, kryeparlamentari Sobotka, u njoh më hollësisht me përparimin dhe arritjet e Kosovës, veçanërisht në dy vitet e fundit dhe me zhvillimet aktuale në vend.

Kryeministri Kurti e njoftoi me indikatorët më të fundit ekonomikë dhe demokratikë, dhe me rezultatet në luftimin e krimit dhe korrupsionit. Kryetari Sobotka dha vlerësimin e tij pozitiv për progresin e arritur në luftën kundër korrupsionit.

Ata diskutuan edhe për fushat në të cilat, krahas vullnetit, ekziston edhe potenciali për bashkëpunim edhe më të thellë si ajo e ekonomisë, shkëmbimeve tregtare, mjedisit dhe projekteve infrastrukturore. Për sa i përket bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme, z. Sobotka konfirmoi vazhdimin e mbështetjes së Austrisë ndaj Kosovës në Këshillin e Evropës deri në anëtarësimin e plotë të saj.

Ndër të tjerash, kryeministri Kurti dhe kryetari Sobotka folën edhe për procesin e dialogut dhe raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me fokus te takimi i javës së kaluar në Bruksel dhe Marrëveshja Bazike dhe Plani i Zbatimit sipas dakordimeve në Bruksel dhe Ohër. Me këtë rast, kryeministri Kurti theksoi kontributin dhe angazhimin konstruktiv të Kosovës në të gjitha takimet dhe përgjatë gjithë procesit, si dhe rëndësinë që Marrëveshja Bazë, që derivon nga propozimi evropian, me përfshirje të drejtpërdrejt të Francës, Gjermanisë dhe Italisë, të zbatohet i plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime.

/GazetaSinjali/