Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë sot se qëllimi i sulmit të armatosur nga një grup i terroristëve serbë, më 24 shtator, ishte nisja e një lufte të re në Kosovë.
Duke folur në mbajtjen e Këshillit të Përgjithshëm të partisë, Kurti tha se si pasojë në këtë sulm u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, teksa shtoi se u eliminuan tre terroristë serbë dhe u arrestuan disa të tjerë.
“Nga sulmi i tyre qyqar u vra polici ynë, rreshteri Afrim Bunjaku dhe u plagos polici kufitar Alban Rashiti. Me dhimbjen për Afrimin dhe lehtësimin që Albani po mjekohej shpejtë menjëherë reaguam shpejtë duke e vënë perimetrin e sigurisë rreth fshatit Banjskë ku ishin strehuar terroristët. Kërkuam që ata të dorëzohen, por ata kishin ardhur me një skenar të tyrin që me sukses iu përgjigj PK-ja duke i eliminuar tre terroristë, arrestuar disa të tjerë dhe duke vazhduar përndjekjen e atyre që ikën”, ka thënë ai.
Më tutje, kryeministri deklaroi se vlera e armatimit të konfiskuar është mbi 5 milionë euro dhe se kishte armatim për qindra luftëtarë, gjë që dëshmon jë lufte të armatosur brenda e kundër Republikës së Kosovës.
“Kemi gjetur armatim në vlerë mbi 5 milionë euro dhe sasi të armatimit për qindra luftarë që dëshmon për planin e fillimit të një lufte të armatosur brenda e kundër Republikës së Kosovës. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake, municioni dhe pajisjet e tjera, direktivat politike dhe strategjike dhe mbështetja zyrtare e publike, të gjitha vinin nga Serbia”, tha tutje ai,.
Për Kurtin nga e diela e kaluar asgjë më nuk është njësojë.
“Kësisoj nga e diela që e lamë pas asgjë më nuk është e njëjtë. Faktet janë sheshtazi dhe ajo që e kemi thënë ngaherë që Serbia po e sponsorizon terrorizimin në veri, u qartësua e u vërtetua”, tha ai.