image Kurti: Pararendësi im u zotua të mos e lejojë FSK-në në veri, për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët

Politikë

Kurti: Pararendësi im u zotua të mos e lejojë FSK-në në veri, për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët

news image

Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke aluduar në ish-kryeministrin Hashim Thaçi, në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje të premten.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tash në paraburgim në Hagë si i akuzuar për krime lufte, në vitin 2013 ishte zotuar që nuk do ta dërgonte FSK-në në veri pa koordinim me NATO-n.

E Kurti ka vlerësuar se ky zotim ka lënë vakum në pjesën veriore të Kosovës, prandaj siç thotë ai, po shtojnë bashkëpunimin me aleatët ndërkombëtarë. 

“Vigjilenca dhe gatishmëria jonë për veriun është dëshmuar që nga dita e parë e qeverisjes sonë. Është zotimi i njëanshëm ndaj NATO-s i një pararendësi tim që nuk lejon FSK-në të futet në veri, por kufiri ynë duhet të ruhet. Ky vakum që është atje duhet të mbushet, dhe për këtë jemi duke shtuar bashkëpunimin me aleatët tanë ndërkombëtar dhe ata trupat e KFOR-it. Serbia duhet të ndëshkohet ndërkombëtarisht sepse sa herë s’është ndëshkuar, ajo i ka përsëritur krimet”, ka thënë Kurti.

Kreu i ekzekutivit është shprehur se faktet tashmë dëshmojnë që Serbia sponsorizon terrorizmin në veri.

“Prej të dielës asgjë nuk është e njëjtë. Faktet dolën në shesh dhe që Serbia po e sponsorizon terrorizmin në veri, u vërtetua. U faktua se janë në krye të këtij organizimi njerëzit që janë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe të afërt me Vuçiqin. Dokumentet e municionet që u gjetën dëshmuan vulën e shtetit serb që treguan origjinën e këtij sulmi”, ka shtuar Kurti.

Kurti u ka bërë thirrje aleatëve ndërkombëtarë që t’i shpallin terroriste organizatat “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e Veriu”, vendim të cilin e kishte marrë Qeveria e Kosovës në qershor. Ka shtuar se “ata që kanë ikur tinëz malit në Serbi gjatë sulmit” duhet të ekstradohen sa më parë në Kosovë.

/GazetaSinjali/