image Kurti përkujton Ukshin Hotin: Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb

Sociale

Kurti përkujton Ukshin Hotin: Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb

news image

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar veprimtarin e çështjes kombëtare, Ukshin Hotin, në 24 vjetorin e zhdukjes.

I pari i qeverisë tha se zhdukja e Hotit është krim i pazbardhur, teksa tha se pas torturave që i pësoi si i burgosur politik, më 16 maj 1999, pas lirimit nga burgu i Dubravës, ai u zhduk.

“Zhdukja e tij është është krim i pazbardhur i Serbisë. Zhdukjet me forcë gjatë luftës në Kosovë ishin pjesë e projektit serb “Patkoi” për shfarosjen e shqiptarëve. Me deklaratën pёr personat e zhdukur, Serbia pas 24 vitesh ka pranuar krimin e zhdukjes me forcë gjatë luftës”.

“Serbia ka hyrë në një marrëveshje ndërkombëtare me Republikën e Kosovës përmes së cilës ka pranuar obligimin ndërkombëtar që të jep çdo informacion, përfshirë ato të inteligjencës dhe ato ushtarake, të cilave pushteti atje u kishte dhënë status të klasifikuar për t’i ikur përgjegjësisë ndërkombëtare përmes fshehjes së dëshmive, për t’i dhënë përgjigje fatit të personave të zhdukur me forcë në luftën e fundit në Kosovë”, shkroi Kurti.

Më tej, kreu i shtetit tha se Kosova s’do të resht së kërkuari të vërtetën dhe drejtësinë për të zhdukurit gjatë luftës dhe të gjitha krimet që i ka kryer Serbia.

“Sot e gjithmonë, e kujtojmë profesorin e së drejtës ndërkombëtare, Ukshin Hoti. Mbetet i paharruar për përkushtimin e pashembullt, thellësinë e mendimit dhe madhështinë e thjeshtësisë së tij. Me mungesën e madhe për të, nderojmë jetën dhe veprën e Ukshin Hotit”, tha Kurti.

/GazetaSinjali/