image Kurti për politikanët: Janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit

Politikë

Kurti për politikanët: Janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit

news image

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se Lidhja e Prizrenit, së bashku me 28 nëntorin e Flamurit të Skënderbeut e të Pavarësisë së Shqipërisë, janë themel historik i shqiptarëve.

Me rastin e 142-vjetorit të themelimit të Lidhjes së Prizrenit, Kurti përmes një postimi në profilin zyrtar në Facebook tha se politikanët e sotëm janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit.

“Ata e kanë kuptuar se të bashkuar janë më të fuqishëm dhe më afër fitores andaj kanë theksuar të përbashkëtën, atë që na bën të ngjashëm, dhe janë themeluar mbi të. Lidhja e Prizrenit ka qenë shumë bashkëkohore”, ka shkruar ndër të tjera ish-kryeministri Kurti.

Postimi i plotë:

Përderisa shqiptarët i bënin kryengritjet kundër Perandorisë Osmane, Serbia e Greqia përgatiteshin si t’i ndanin tokat e banuara me shqiptarë. Në njërën anë ishte ideja e shtetit serbomadh sipas modelit të Perandorisë së Car Dushanit e përmbledhur në programin ‘Naçertania’ të Ilija Garashaninit. Ndërkaq, në anën tjetër, ishte ‘Megali Ideja’ e kreut të shtetit grek Jani Koleti. Që të dy këto projekte dalin në të njëjtin vit: 1844! E mu në këtë vit te shqiptarët Naum Veqilharxhi boton Qarkoren dhe Evetorin e Parë. Pra, fqinjtë tanë projektojnë ekspanzionizëm territorial, ndërkaq ne shqiptarët gjuhë, alfabet e abetare.

Perandoria Osmane kishte nisur reformat centralizuese të Tanzimatit që shkaktuan kryengritje të shumta popullore. Borxhet e Perandorisë Osmane sa vie e shtoheshin, saqë në vitin 1875 borxhet e jashtme të saj kishin arritur në 5,3 miliardë franga ari kurse nga të ardhurat shtetërore vjetore 37% ishin dedikuar vetëm për të paguar kamatën e huave.

300 përfaqësues shqiptarë u mbodhën në Prizren, më 10 qershor 1878, atëherë kur rreziku ishte shumë i madh. Paqja e Shën Stefanit ishte nënshkruar ndërsa Kongresi i Berlinit do të hapej tri ditë më vonë.

Lidhja e Prizrenit e formësoi kombin shqiptar por edhe e organizoi atë në aspektin politik e ushtarak. Ata përpiluan programin politik me kërkesa të qarta:

– Bashkim i vilajeteve shqiptare
– Ushtri me oficerë shqiptarë
– Organe qendrore politike
– Nëpunës që flasin shqip
– Hapje e shkollave shqipe

Me mobilizimin që bazohej në thirrjen “një luftëtar për çdo shtëpi dhe tre luftëtarë për shtëpi në zona kufitare”, e më së shumti në Malësinë e Madhe ku u mobilizuan të gjithë burrat e aftë për të mbajtur armë, Lidhja e Prizrenit arriti të ketë një çerek milioni shqiptarësh të armatosur e të organizuar. Pas shumë betejave të suksesshme kundër regjimenteve të Perandorisë, Lidhja arriti futjen nën kontroll të shumë qyteteve shqiptare: Vushtrrisë e Mitrovicës, Pejës, Prizrenit e Gjakovës. Ajo mbrojti ushtarakisht Plavën e Gucinë, Grudën e Hotin. Asnjëherë tjetër nuk kemi arritur si komb ta kemi këtë nivel.

Në atë periudhë u bëmë bashkë duke e ndërtuar kalimin prej ndjenjës së fuqishme kombëtare tek vetëdija e lartë kombëtare, prej idesë politike te programi politik dhe prej mendimit tek aksioni. Kararnameja (Libri i Vendimeve) parashihte besën e përgjithshme dhe ndalonte gjaqet. Sylejman Vokshi, Abdyl Frashëri dhe Ymer Prizreni ishin në krye të përfaqësuesve tanë. Ata e kuptonin që vetëmohimi dhe bashkimi janë të domosdoshme për lirinë e popullit, për të të mirën e gjithmbarshme, për ecjen përpara.

Atëbotë u lidhën komitetet e shqiptarëve anembanë trojeve që i popullonin. Kjo ishte lidhja. Ishte lidhja e viseve të ndryshme. Mirëpo, lidhja është edhe historike përveçse gjeografike. Pas Naum Veqilharxhit, natyrisht që erdhën Konstandin Kristoforidhi dhe Naim Frashëri. Ngjashëm sikurse pa Abdyl Frashërin nuk do t’i kishim më pas Ismail Qemalin dhe Hasan Prishtinën. Kjo është mënyra se si brezat e kanë frymëzuar njëri-tjetrin dhe përveçse jemi lidhur në hapësirë jemi lidhur edhe në kohë.

Politikanët e sotëm janë të prapambetur në krahasim me ata të Lidhjes së Prizrenit. Ata e kanë kuptuar se të bashkuar janë më të fuqishëm dhe më afër fitores andaj kanë theksuar të përbashkëtën, atë që na bën të ngjashëm, dhe janë themeluar mbi të. Lidhja e Prizrenit ka qenë shumë bashkëkohore.

10 qershori i Lidhjes së Prizrenit, bashkë me 28 nëntorin e Flamurit të Skënderbeut e të Pavarësisë së Shqipërisë, janë themel historik i asaj që jemi dhe kulm politik i asaj që bëhemi./Gazeta Sinjali/