image Kurti për masakrën e Dubravës: Dëshmia më makabre e një pushtuesi që e ndjen se po merr fund

Sociale

Kurti për masakrën e Dubravës: Dëshmia më makabre e një pushtuesi që e ndjen se po merr fund

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur rreth masakrës së Burgut të Dubravës. Ai tha se kjo është një nga ngjarjet më të zymta të gjysmës së dytë të shekullit, shkruan Gazeta Sinjali.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se ky burg duhet të ruhet si ‘vendngjarja e një krimi të jashtëzakonshëm’.

“Dubrava është dëshmia më makabre e një pushtuesi që e ndjen se po merr fund. Ai vret me çdo mjet, dhe shtie mbi cilindo, qoftë edhe mbi të burgosurit krejt të pambrojtur. Kemi lexuar fakte të tilla në historinë botërore. Historia nuk do të ndalet së prodhuari tmerre të tilla. Fatkeqësisht do të dëgjojmë shumë shpejt për bëmat ruse në agresionin ndaj Ukrainës“, ka shkruar ai.

Postimi i plotë:

Dubrava është një nga ngjarjet më të zymta të gjysmës së dytë të shekullit. Ne iu referohemi dëshmive të burgosurve, librit të Enver Dugollit, rrëfimeve të Liburn Aliut, Nait Hasanit dhe sa e sa të tjerëve.

Ai burg duhet të ruhej si vendngjarja e një krimi të jashtëzakonshëm. Nuk duhet të zhdukeshin gjurmët e fishekëve të çdo lloji nëpër muret e burgut. Gjithçka ndodhi në atë ngjarje. Ashtu siç përshkruhet në librin e Enver Dugollit, “Qarku i pambyllur i burgjeve”, vdekja rrinte pezull mbi njerëzit, vdekja shtrihej anash të gjallëve, vdekja pritej të vinte nga qielli.

Dubrava është dëshmia më makabre e një pushtuesi që e ndjen se po merr fund. Ai vret me çdo mjet, dhe shtie mbi cilindo, qoftë edhe mbi të burgosurit krejt të pambrojtur. Kemi lexuar fakte të tilla në historinë botërore. Historia nuk do të ndalet së prodhuari tmerre të tilla. Fatkeqësisht do të dëgjojmë shumë shpejt për bëmat ruse në agresionin ndaj Ukrainës.

Në Dubravë, pushtuesi serb mblodhi një numër të madh të burgosurish politik. Duke e ndjerë se i erdhi fundi, nga imagjinata e tij më perverse e më gjakësore ndërtoi plotonin e ekzekutimit që zgjati disa ditë. I rreshtoi tërë të burgosurit në sheshin në fund të burgut dhe drejtoi mbi ta tytat e çdo tipi arme që dispononte, nga të gjitha lartësitë që mund të sajonte. I goditi nga jashtë mureve.

Pushtuesi në fundin e tij kishte shumë më tepër frikë se të burgosurit e çarmatosur. Ai përbënte një masë sadistësh. Me vdekjen që mbolli nuk u mjaftua. I duhej t’i vriste të gjithë të burgosurit. Nuk duhet të mbetej askush i gjallë për të dëshmuar, andaj edhe ndërmori disa ekspedita ekzekutive. E megjithatë nuk ia doli dot. Dëshmitë janë rrënqethëse, por dhe aktet heroike të disa të burgosurve që u vinin në ndihmë shokëve të tyre janë po ashtu rrënqethëse. Mbetet shenjë heroizmi ajo masë organizimi mes të burgosurve, për mbrojtje, mjekim apo ushqim. E mbi të gjitha, kur të gjallët qëndronin në të njëjtin shesh me shokët e tyre të vrarë.

Dubrava, duhet rrëfyer. Duhen lexuar dëshmitë e saj. Pushtuesi mizor nuk arriti ta përmbyllte masakrën. Dubrava duhet shpjeguar dhe duhet kuptuar edhe më mirë, sepse është krim kundër njerëzimit dhe akt gjenocidal.

/GazetaSinjali/