image Kurti për FSK-në: Përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura dhe të paparashikueshme është e domosdoshme

Kosovë

Kurti për FSK-në: Përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura dhe të paparashikueshme është e domosdoshme

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ceremonisë së hapjes së “Defender Europe 2023” tha se FSK radhitet e katërta në këtë ushtrim në mesin e 25 ushtrive pjesëmarrëse sa i përket numrit të personelit të angazhuar në këtë ushtrim.

“Kjo dëshmon për vullnetin që kemi për të zhvilluar sistemin tonë të mbrojtjes por edhe për përkushtimin e palëkundur për të qenë pjesë e sistemit të përbashkët të mbrojtjes së vendeve që përqafojnë e përfaqësojnë vlerat demokratike”, tha ai.

“Siguria kontinentit evropian është interes jetik i yni, si shtet që beson në atë që e don, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, paqen dhe demokracinë. Defender Europe 21 ishte më pak se një vit para se Rusia të shpërfaqë në mënyrën më agresive e brutale synimet e kahmotshme për t’u shtrirë dhunshëm në thellësi të Evropës. Defender Europe 23 po zhvillohet në një realitet të tensionuar 15 muaj pas invazionit rus në Ukrainë dhe që si i tillë ka të bëjë drejtpërdrejt jo vetëm me të ardhmen e Evropës, por mbarë botës. Prandaj përgatitja për t’u përballur me kërcënimet e njohura si dhe ato të paparashikueshme është e domosdoshme. Ashtu siç është e domosdoshme rritja e ndërveprimit dhe ngritja e gatishmërisë luftarake, e që janë objektivat kryesore të ushtrimit “Mbrojtësi i Evropës 2023”, deklaroi Kurti.

“Edhe ky togfjalëshi ‘Stronger together’ është veçse variacion dhe jehonë e thënies së famshme të kryeheroit tonë Skënderbeut ‘Bashkimi bën fuqinë’”, tha kryeministri.

/GazetaSinjali/