Një delegacion i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga përfaqësues të Gardës Kombëtare dhe Komandës së Logjistikës, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Komandën Mbështetëse të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ushtarak ndërmjet dy vendeve.
Delegacioni u kryesua nga zëvendëskomandanti i Komandës së Logjistikës së FSK-së, kolonel Valdet Berisha, ndërsa u prit nga komandanti i Komandës Mbështetëse të FARSH-it, gjeneral brigade Aleksandër Pando, së bashku me stafin e tij.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjatë takimeve profesionale u diskutua për bashkëpunimin në fushën e logjistikës, trajnimeve dhe menaxhimit të emergjencave civile.
“Delegacioni pati mundësinë të njihet nga afër me misionin, strukturën organizative dhe kapacitetet e Komandës Mbështetëse, si dhe të vizitojë kapacitetet logjistike dhe ato të emergjencave civile, duke u informuar në detaje mbi organizimin, pajisjet dhe procedurat që përdoren në mbështetje të operacioneve ushtarake dhe menaxhimit të situatave emergjente”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, palët shkëmbyen përvoja profesionale dhe diskutuan mundësitë për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, me fokus në ngritjen e kapaciteteve operacionale, trajnimet dhe forcimin e sistemeve logjistike.
FSK theksoi se vizita u zhvillua në frymën e partneritetit dhe besimit të ndërsjellë, duke kontribuar në rritjen e ndërveprueshmërisë dhe forcimin e marrëdhënieve ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!