image Kurti pasi u betua si kryeministër: Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli

Kosovë

Fjalimi/ Kurti pasi u betua si kryeministër: Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli

news image

Kryeministri i sapo zgjedhur i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u është drejtuar deputetëve të Kuvendit menjëherë pas votimit të qeverisë së re dhe betimit si kryeministër.

Kurti para deputetëve ka thënë se ditën e sotme do të hapet një kapitull i ri për Republikën e Kosovës, pasi po jetësohet entuziazmi dhe shpresa e qytetarëve që është krijuar me 6 tetor, shkruan Gazeta Sinjali.

Më tutje ai është shprehur se sot nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje e as Lidhja Demokratike e Kosovës, por kanë fituar populli.

“Sot nuk ka fituar Lëvizja Vetëvendosje dhe nuk ka fituar Lidhja Demokratike e Kosovës, sot kanë fituar qytetarët të cilët sa herë që janë përballur me padrejtësitë janë ngritur në këmbë sepse ne jemi popull kryengritës, jemi  popull që nuk nënshtrohemi, jemi popull që nuk  përulemi”, ka thënë Kurti.

Kryeministri i Republikës së Kosovës, më tej ka shtuar se shteti do t’i takojë përherë popullit, pasi që politikanët sipas tij janë të zëvendësueshëm, teksa populli mbetet i përhershëm.

“Sot pushtetin e shtetin e ka fituar populli sepse atij i takonte, atij i takon e do t’i takojë përherë. Ne të gjithë jemi vetëm se kalimtarë dhe shërbëtorë që punojmë e veprojmë në emër të popullit dhe për popullin. Në të gjithë jemi të zëvendësueshëm, por populli mbetet i përhershëm.”

Qeveria Kurti u votua sot me 66 vota për dhe 10 abstenime, pas disa orësh debat nga opozita, të cilët e lëshuan sallën e Kuvendit pak para votimit të qeverisë./Gazeta Sinjali/