image Borrell i kërkoi shtyrjen e afatit për targat dhe Asociacionin, Kurti: S’ka alternativë ndaj dialogut dhe institucioneve

Politikë

Borrell i kërkoi shtyrjen e afatit për targat dhe Asociacionin, Kurti: S’ka alternativë ndaj dialogut dhe institucioneve

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka treguar se çfarë bisedoi mbrëmë me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell.

Kurti thotë se i bëri me dije Borrellit se nuk ka alternativë ndaj dialogut dhe institucioneve.

“Nuk ka alternativë ndaj dialogut dhe institucioneve. Ia bëra me dije se nga 843 qortime të dhëna deri më tani nga policia për drejtuesit e makinave me targa pa leje, 0 incidente apo ankesa” deklaroi Kurti në Twitter.

Ndonëse Kurti s’ka treguar shumë detaje nga Biseda, Borrell mbrëmë ka lëshuar një deklaratë, në të cilën u ka bërë thirrje të dyja palëve të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm, i cili mund të çojë në tensione të mëtejshme.

“Zhvillimet e fundit në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i vënë në rrezik vitet e punës së palodhur dhe arritjet e arritura në kuadër të Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe pengojnë situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë”.

Borrell i kërkoi Kosovës që të zgjatin menjëherë procesin e riregjistrimit të automjeteve duke e pezulluar kështu edhe vendimin për ndëshkimin e automjeteve me targa KM.

Në deklaratën e lëshuar nga Borrell thuhet po ashtu se BE-ja i bën thirrje Kosovës që të fillojë menjëherë hapat për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe.

Kryeministri, megjithatë, nuk ka bërë akoma ndonjë reagim zyrtar pas protestës së sotme në Veri.

/GazetaSinjali/