Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka folur për kohën kur partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë në opozitë, shkruan Gazeta Sinjali.
Kurti tha se për shumë çështje kanë qenë edhe radikal, por thotë se i kanë votuar gjysmën e projektligjeve të hedhura në votim nga qeveritë e kaluara.
” Ta zëmë edhe Vetëvendosje në opozitë kur ka qenë, të paktën gjysmën e projektligjeve të sponzoruar nga qeveritë i ka votuar në lexim të parë. Kjo nuk është pak, subjekti opozitar voton diku gjysmën e projektligjeve që vijnë nga qeveria. Unë mendoj që është, për t’u thjeshtuar, ky është bashkëpunim. Jo vetëm marrëveshjet ndërkombëtare, ne kemi votuar tri ligjet për ushtrinë. Ka shumë ligje që kemi mbështet. A e dini sa ligjet janë për gjërat që, si ta them, nuk duken thelbësore, por janë ligje. Opozitarizmi ynë në Kuvendin e Republikës për disa çështje ka qenë shumë radikal, por kjo nuk do të thotë që ne nuk kemi votuar në lexim të parë e në lexim të dytë e nuk kemi bërë shumë amandamente”, tha Kurti.
Kryeministri në detyrë thotë se pushtetet paraardhëse të tij i ka kundërshtuar për shkak të temës, por thotë se nuk i barazon me Serbinë dhe se jo çdo vendim i tyre ka qenë “i mbrapsht”.
“Unë kam kundërshtuar pushtetet e më hershme në mënyrë edhe të ashpër edhe radikale, unë besoj për shkak të temës. Nuk i bën ata të barabartë me Serbinë. Sepse mund të thuash i ke thënë e keqe Serbia, keq këta, ti po i barazon. Është tepër e thjeshtë për të qenë e vërtetë. Pra, unë vlerësoj kontributin në luftë, rezistencës paqësore që kanë bërë. Nuk është edhe çdo vendim i tyre i mbrapsht”, tha Kurti./Gazeta Sinjali/