image Kurti: Institucionet të mos i hedhin faj njëra-tjetrës për mosveprim ndaj viktimave të dhunës seksuale

Politikë

Kurti: Institucionet të mos i hedhin faj njëra-tjetrës për mosveprim ndaj viktimave të dhunës seksuale

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Protokolli Shtetëror për Trajtimin e Rasteve të Dhunës Seksuale qartëson obligimet e institucioneve përgjegjëse për trajtimin e dhunës seksuale.

Kurti përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se viktimave u takon përkrahja institucionale dhe shoqërore.

“Nuk mund të lejohen papërgjegjësi të tilla, ku institucionet i hedhin fajet njëra-tjetrës për mosveprim, shmangin përgjegjësitë dhe neglizhojnë viktimat e dhunës kur ato trokasin në dyert e institucioneve. Viktimave u takon përkrahja institucionale dhe shoqërore, përkujdesja maksimale dhe adekuate, shëndetësore e psikologjike”, ka shkruar Kurti.

Sipas kryeministrit organet e rendit e të hetuesisë, prokuroritë dhe gjykatat, duhet të vënë personat e dyshuar sa më parë para drejtësisë.

“Prokuroritë dhe gjykatat të jenë ato të cilat dëshmojnë se përkushtimi i ri është një fazë e re për të gjitha institucionet dhe për mbarë shoqërinë. Që kryerësit të marrin dënime meritore”, tha Kurti.

I pari i Qeverisë tha se ndryshimet ligjore të ndërmarra nga Qeveria, në Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, në rastet kur një person shpallet fajtor për veprën penale të dhunës në familje apo të dhunës seksuale, janë këto:

– do t’i ndalohet punësimi në institucionet publike;

– do t’i ndalohet kandidimi në pozita qoftë në nivel lokal apo qendror;

– do t’i merret leja e vozitjes;

– nuk do të zbatohen rrethanat lehtësuese për dhunuesit;

– trajtimi i këtyre lëndëve nuk do të zgjas më shumë se 1 vit dhe

– emrat e dhunuesve do të publikohen ne faqen zyrtare të KGJK-së.

“Ndryshimet ligjore për ashpërsimin e dënimeve ndaj dhunuesve, si dhe zbatimi i këtij protokolli, do t’u dalin në ndihmë dhe mbrojtje viktimave”, përfundoi Kurti.

https://www.facebook.com/albini2017/posts/pfbid032dJnKok7hwpCtPpDAzfRrFXMdsUycBKm64CHMGbLTvAa1xWYdtfkEp24kKPSupm3l

/GazetaSinjali/