image Kurti nga Shkupi: S’marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut

Politikë

Kurti nga Shkupi: S’marrim pjesë në zgjedhjet parlamentare në Maqedoninë e Veriut

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha nga Shkupi se Lëvizja Vetëvendosje “nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut”, kështu duke deklaruar se partia e tij nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare atje që mbahen më 8 maj.

I pyetur nëse partitë politike shqiptare duhet të kenë kandidat të tyre për president në Maqedoninë e Veriut, Kurti tha se për këtë duhet të vendosin qytetarët por edhe vetë partitë politike.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është e regjistruar në Maqedoninë e Veriut. Ne kemi aktivistë, kemi edhe zyrtarë të subjektit tonë politik në Kosovë që vijnë nga Maqedonia e Veriut, mirëpo këtu nuk kemi qendër të Vetëvendosjes formalisht të regjistruar, andaj edhe ne si Lëvizje Vetëvendosje nuk është se marrim pjesë këtu”, deklaroi Kurti.

“Unë dëshiroj që të ketë pjesëmarrje sa ma të lartë në zgjedhje, sepse kjo i kontribuon demokracisë. Ne e dimë që regjistrimi i fundit i popullsisë, përfshirë edhe mërgatën, i ka nxjerrë shqiptarët në Maqedoninë e Veriut me një përqindje prej 29%, nëse nuk gaboj dhe natyrisht që duhet të vendosin ata vetë se a do të ketë kandidat dhe kush do të jetë ai ose ajo”, theksoi Kurti.

Para pak javësh, partitë opozitare shqiptare njoftuan se Lëvizja Vetëvendosje i ishte bashkuar koalicionit, ndërsa nga partia e Kurtit s’e kishin mohuar këtë. Krerët e shtetit dhe kryetari i partisë më të madhe të shqiptarëve, BDI-së në pushtet, Ali Ahmeti, s’e kishin pritur fort mirë këtë lajm.

/GazetaSinjali/