image Kurti: Ne vetë po i thyejmë rregullat që po i themi

Kosovë

Politikë/ Kurti: Ne vetë po i thyejmë rregullat që po i themi

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për projektbuxhetin 2020, para deputetëve tha se ata vetë po i thyejnë rregullat dhe rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike duke u mbledhur kaq shumë persona në një sallë.

Mirëpo, Kurti thotë se e kanë konsideruar të domosdoshme seancën e sotme, pasi sipas tij, nuk ka garancion që mund të mblidhen ditëve apo javëve të ardhshme.

“Kjo situatë është e pazakonshme, e pazakonshme edhe në kuptimin që ne nuk e kemi hasur një të tillë si qeveri e legjislaturë që prej çlirimit e këndej, bëhet fjalë për një pandemi botërore dhe ne urojmë që ditëve dhe javëve në vijim të arrijmë ta ulim shpejtësinë dhe gjeografinë e shtrirjes së kësaj pandemi, përkatësisht koronavirusit apo COVID 19. Edhe nuk nuk dëshironim që gjithçka të bëhet brenda një dite, por kemi konsideruar të mblidhemi sot edhe pse është e shtunë, meqenëse nuk ka garancion që mund të mbajmë seanca në javët apo ditët në vijim sepse nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me përhapjen e koronavirusit. Edhe kështu siç jemi në këtë sallë, në fakt, jemi në kundërshtim me rregullat të cilat ne vetë i themi, përshkak të rekomandimit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike. Ne kemi krijuar edhe komision të veçantë për këtë me 26 anëtarët gjithsej dhe po bëjmë maksimumin tonë me angazhime të pandërprera, por nuk mund të kemi një buxhet emergjent, nëse nuk e kemi buxhetin e ri. Na nevojitet buxheti 2020 dhe vetëm më pas ne mund të kemi një buxhet emergjent. Edhe ashtu në muajin mars jemi me 1/12 pjesë të buxhetit. Edhe në vitin 2011 ka pasur dy lexime, më 25 mars dhe 31 mars, por atëherë nuk ka pasur koronavirus. Prandaj duke i pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhemi, unë ju ftoj që ta votojmë këtë projektbuxhet”, tha kryeminstri.

Kujtojmë që deri tani në Kosovë janë konfirmuar tre raste të prekura me koronavirus. /Gazeta Sinjali/