image “Kurti në rolin e spektatorit”, PDK propozon shtatë hapa për zbutjen e krizës ekonomike

Politikë

“Kurti në rolin e spektatorit”, PDK propozon shtatë hapa për zbutjen e krizës ekonomike

news image

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mosveprim dhe vonesë në reagim ndaj krizës me rritjen e çmimeve.

Ismaili tha se pushteti aktual është treguar shpërfillës ndaj dy krizave të njëpasnjëshme, asaj të energjisë dhe rritjes së papërballueshme së çmimeve, duke injoruar paralajmërimet nga opozita, shoqëria civile dhe analizat ndërkombëtare.

Sipas Ismailit, Qeveria Kurti ka marrë rolin e spektatorit duke u shndërruar në vëzhgues, dhe jo akter, thuhet në komunikatën e PDK-së.

“E për më keq, të vetmen konstante e ka arsyetimin. Kjo qeveri krizën energjetike e reduktoi në kërkesën që qytetarët të mos luajnë play station, arsyetimin që rryma nuk ruhet në frigorifer dhe tani rekomandimin që qytetarët ta kthejnë miellin në furrë. Kështu nuk menaxhohet oferta dhe kërkesa në ekonomi”, tha Ismaili.

Ai tha se Qeveria Kurti do ta fusë Kosovën në recension ekonomik.

“Në Kosovë sot kemi ngritje marramendëse të çmimeve, ku vaji, buka, mielli, etj, po tregtohen me çmime që nuk përputhen me mundësitë financiare të qytetarit të Kosovës. Pushteti aktual është duke soditur këtë krize nga ndërtesa qeveritare, përderisa qeveritë në rajon dhe Evropë janë duke u marrë aktivisht me krijimin dhe implementimin e politikave, ligjeve dhe veprimeve të ndryshme për të mbrojtur qytetarët nga rritja e çmimeve. Në Maqedoni të Veriut, Kroaci e më gjerë kemi veprime konkrete që frenojnë rritjen e çmimeve dhe mbrojnë ekonomitë familjare”, theksoi Ismaili.

PDK propozoi që Qeveria e Kosovës të ndërmarrë disa hapa për zbutjen e krizës:

1. Të largoj përkohësisht akcizën e aplikueshme mbi importin e naftës për një periudhë 3 mujore

2. Largimin e TVSH-së për mallrat esenciale si mielli, vaji, kripa dhe sheqeri deri më 1 korrik

3. Largimin e TVSH-së për të gjitha lëndët e para në sektorin e bujqësisë deri më 1 tetor

4. Largimin e TVSH-së për lëndët e para për prodhuesit vendorë të mallrave esenciale deri më 1 shtator

5. Lansimin e një programi 3 mujor me BQK deri më 1 qershor për qytetarët që nuk mund ta përballojnë rritjen e çmimeve

6. T’i mbështesë furnitorët e grurit dhe produkteve tjera esenciale për t’u qasur në tregjet ndërkombëtare

7. Të obligohen të gjitha ambasadat e Kosovës të vendosin kontakte për të siguruar furnizim me lëndë të parë për prodhuesit vendorë dhe mallra esenciale për qytetarët.

/GazetaSinjali/