image Kurti nga Parisi: Paqja dhe siguria në Evropë nuk është duke u sfiduar vetëm nga Rusia, por edhe nga Serbia

Politikë

Kurti nga Parisi: Paqja dhe siguria në Evropë nuk është duke u sfiduar vetëm nga Rusia, por edhe nga Serbia

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës mori pjesë në panelin e diskutimit në kuadër të Forumit të Paqes në Paris të Francës, me temë “Krizat gjeopolitike dhe rruga drejt paqes së qëndrueshme”.

Në fjalën e tij hyrëse ai foli për pasojat e agresionit rus në Ukrainë dhe për përgjegjësinë, që kontinenti evropian dhe bota demokratike ka në mbrojtjen e demokracisë përballë fashizmit rus.

Ai tha se paqja dhe siguria në Evropë nuk është duke u sfiduar vetëm në Lindje të saj nga Rusia, por edhe në Juglindje nga Serbia, e cila ndanë qëllime të përbashkëta me Rusinë për dominim.

Duke folur për Kosovën, kryeministri Kurti u shpreh se Republika jonë është demokratike, ku çdo qytetar, pavarësisht racës, gjinisë ose etnisë, është i barabartë para ligjit. Ai nënvizoi përmirësimet në indikatorët demokratikë dhe të sundimit të ligjit sipas raporteve të Transparency International, Reporterët pa kufij dhe Projektit të Drejtësisë Botërore (WJP), performancën ekonomike gjatë vitit 2021 dhe 2022 dhe linjëzimin e politikës së jashtme të Kosovës me partnerët e saj në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë.

Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, ai tha se Kosova dëshiron raporte të mira dhe paqësore me Serbinë dhe se është e gatshme t’ia shtrijë dorën vendit, që ka kryer gjenocid mbi popullin tonë, nëse ky vend është i gatshëm ta çlirojë grushtin e tyre.

Ai tha se rruga drejt paqes së qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor arrihet nëpërmjet demokratizimit dhe evropianizimit të mëtejmë të këtij rajoni.

Në fund, kryeministri Kurti falënderoi Bashkimin Evropian për ndihmën e vazhdueshme, veçanërisht Francën për kontributin e saj për paqe, demokraci dhe zhvillim në rajon dhe në Kosovë, për të vazhduar pastaj me diskutimin e hapur me të pranishmit në sallë.

/GazetaSinjali/