Gjatë qëndrimit të tij në Greqi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u takua edhe me Kryeshefin Ekzekutiv të Komitetit Amerikano-Hebraik, David Harris.
Bashkë diskutuan mbi mundësitë e bashkëpunimit të komunitetit shqiptar dhe hebraik në botë, e sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe për mënyrat dhe praktikat e mira të organizimit të mërgatës në tërheqjen e investimeve nga jashtë.
Në njoftimin e bërë nga zyra e kryeministrit tregohet se Kurti ka folur për vendimet dhe planet e qeverisë për përfshirjen sa më të madhe të mërgatës në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
“Ai tha se brenda 100 ditëve të qeverisë tashmë janë marrë disa vendime shumë të rëndësishme në këtë drejtim, sikurse ai për fillimin e emetimit të bonove të diasporës dhe miratimit të projektligjit për Gjykatën Komerciale. Që të dy këto vendime në shërbim të nxitjes së investimeve të bashkatdhetarëve në vend“, thuhet në njoftim.
Në muajin e kaluar, kryeministri Kurti kishte pritur në zyrën e tij Drejtoren e Komitetit Amerikano-Hebraik në Jerusalem, Avital Leibovich, me të cilën po ashtu kishte folur për rolin e mërgatës. Ajo kishte premtuar angazhim për të lobuar në kompani të ndryshme izraelite që të mund të orientojnë investimet e tyre në Kosovë./Gazeta Sinjali/