image Kurti: Na kanë vonuar shumë, por ju ka ardhur fundi

Kosovë

Zgjedhjet/ Kurti: Na kanë vonuar shumë, por ju ka ardhur fundi

news image

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka qëndruar sot në Vllahi të Mitrovicës, në një piknik të organizuar nga anëtarët dhe simpatizantët e kësaj partie, me ç’rast para të pranishmëve u shpreh i bindur se Vetëvendosje do ta dëshmojë zotimin para popullit se asnjëherë nuk do të jetë sikur pushtetet e mëparshme.

Sipas tij, ka ardhur çasti që populli ta ndryshojë njëherë e përgjithmonë Kosovën, duke hapur kështu një kapitull të ri.

“Sot pesë javë janë zgjedhjet, sot pesë javë votojmë, fitojmë dhe sot pesë javë festojmë…Ditën po provojmë ta bëjmë 25 orë, duke shkuar anekënd Kosovës, meqenëse ka ardhur koha dhe çasti që populli e ka rastin për ta ndryshuar njëherë e përgjithmonë Kosovën, duke hapur një kapitull të ri pa korrupsion, me punësim, arsim cilësor, spitale që shërojnë, me pensione të dinjitetshme, me ara që punohen dhe gjithashtu me një qeveri e cila e ka kulturë shërbimin, e jo zullumin dhe zhvatjen. Na kanë vonuar shumë, na kanë penguar gjatë, mirëpo ju ka ardhur fundi…Unë jam i bindur se Lëvizja Vetëvendosje do ta dëshmojë atë që është zotuar para popullit, që asnjëherë nuk do të jetë sikurse pushtetet e mëparshme”, ka thënë Kurti.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili para pak ditësh aderoi në Vetëvendosje, ka kërkuar nga banorët e këtushëm mbështetje të fuqishme për Albin Kurtin, duke u shprehur i bindur në fitore.