Të premten është bërë një javë nga sulmi me kallashnikov mbi autobusin e nxënësve në Gllogjan të Deçanit, nga i cili mbetën të vrarë tre persona – shoferi i autobusit dhe dy nxënës.
Edhe pas më shumë se një jave, organet e sigurisë dhe hetuesisë nuk kanë arritur që të identifikojë ose arrestojnë asnjë person të dyshuar për këtë vrasje të trefishtë që tronditi vendin, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryeministri, Albin Kurti, shpreh keqardhje që ende nuk ka asnjë rezultat për këtë rast.
“Mua më vjen shumë keq që këtë të premte në darkë është bërë një javë që ne nuk e kemi të pandehurin të identifikuar ose të arrestuar, ose të pandehurit. Ishte një vrasje mizore e trefishtë ku një i plagosur apo lënduar kishte fat”, tha ai në një konferencë për media.
Kreu i ekzekutivit shtoi se sasia e informacionet është shtuar, për shkak të hetimeve të shtuara edhe me hetuesit më të mirë që ka Kosova, mirëpo ende nuk ka rezultate që mund të çojnë në identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarit ose të dyshuarve./GazetaSinjali/