image Kurti kërkon nga ambasadorët që t’i kundërvihen propagandës ruse

Politikë

Kurti kërkon nga ambasadorët që t’i kundërvihen propagandës ruse

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar më shumë punë nga diplomacia.

Kurti kërkoi nga ambasadorët që t’ua shpjegojnë versionin tonë të historisë vendeve ku ata veprojnë.

Këtë deklarim Kurti e bëri gjatë Konferencës së Gjashtë të Ambasadorëve në Prishtinë.

“Propagandat të fqinjit tonë kanë imponuar një datë të fillimit të historisë sonë, thuajse para tyre nuk ka ekzistuar as koha e as vendi, sepse ne nuk kemi pasur profesorë në vende perëndimore”, tha Kurti, transmeton lajmi.net.

Ai shtoi gjithashtu se Serbia mund të ketë blerë shumë mallra e armë përgjatë dekadave por “asnjëherë nuk e morën qytetërimin”.

Tutje Kurti tha se gjeopolitika nuk është vetëm çështje materiale.

“Ne kemi një armik ekzistencial që bënë shumë zhurmë dhe përdorë gjithnjë një pozicion hibrid për të përfituar nga ekstremet e vendeve perëndimore. Me të djathtët përfiton duke thënë se Serbia është mbrojtëse e krishterimit, por nga ana tjetër qëndron me rusët deri në fatalitet. Serbia nuk mund ta braktisë lehtë Rusinë pa ndryshime rrënjësore”.

Kurti thotë se mjafton që ambasadorët t’ua kujtojnë të huajve këto fakte e sipas tij më pas “ata vet do të hulumtojnë dhe nuk mund të kenë simpati për Serbinë”.

“I takon diplomacisë t’i integrojë në punë gjithë instrumentet në fushat e mundshme. Përmes integrimit të këtyre fushave mund të krijohen kanalet në të cilat mund të komunikojmë të vërtetën dhe të drejtën. Ju takon juve të thoni se si e dimë ne të vërtetën. Ju jini të pranishëm në përditshmërinë e vendeve ku veproni. Përditshmëria atje ku jeni duhet analizuar sipas individëve, profesioneve dhe institucioneve. Duhet t’ua përçojmë pa drojë dijen tonë për historinë dhe informacionin tonë për aktualitetin. Ata e njohin Ballkanin e tyre, ne duhet t’ua shpjegojmë tonin, atë Ballkan ku fqinji ynë verior po synon me të gjitha mënyrat tri vende fqinje të saj duke i dhënë një ndihmë shumë të madhe Rusisë dhe duke u ndihmuar prej saj”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, pjesëmarrës në këtë ceremoni ishin edhe ministra qeveritarë, zëvendësministra, ambasadorë të akredituar në Kosovë, si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare.

/GazetaSinjali/