Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti ka marrë pjesë në organizimin e 144 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit.
Ai ka thënë se kjo datë për shqiptarët është datë e themelimit jo më pak e rëndësishme se data e 28 Nëntorit dhe 17 Shkurtit.
“10 Qershori 1878 për ne, shqiptarët, është një datë e themelimit, jo më pak e rëndësishme se datat e 28 Nëntorit dhe 17 Shkurtit”, ka thënë kryeministri.
Në fjalën e rastit, kryeministri Kurti ka theksuar që Kuvendi në Prizren nisi si mbledhje e përfaqësuesve të krahinave shqiptare që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga pushtimi prej shteteve ballkanike të kohës, që shqiptarët nuk i konsideronin si komb.
“Lidhja e Prizrenit është një program, për forcimin e shtetit dhe të sovranitetit që është garancia më e mirë që ka një komb për sigurinë e tij, aleancat, zhvillimin ekonomik, bashkëpunimin e gjithanshëm ndërkombëtar dhe pjesëmarrjen në procese integruese rajonale, kontinentale dhe globale”.
Kuvendi, sipas kryeministrit, nuk u mjaftua me masat ushtarake mbrojtëse, por shpalli se ai ishte kuvend përfaqësues i të gjithë shqiptarëve dhe jo vetëm i popullatës së disa krahinave, se shqiptarët ishin një komb, që do të thoshte se territori ku jetonin u takonte atyre dhe se vetëm ata mund të vendosnin për veten e tyre.
“Shqiptarët po kërkonin vetëvendosje, të drejta të njëjta me kombet e tjerë të lirë të Evropës, po kërkonin vetëvendosjen përpara se kjo fjalë të kthehej në të drejtën e parë universale të popujve”, ka thënë Kurti.
Kryeministri ka folur edhe për krizën e rëndë me të cilën po përballet sot kontinenti i Evropës, shkaku i agresionit dhe invazionit të paprovokuar dhe të pa justifikuar në Ukrainë.
“Jo shumë larg prej nesh, kombi ukrainas po lufton për ekzistencën, lirinë, atdheun dhe shtetin e vet, tha kryeministri Kurti dhe shtoi se Rusia në vend që të bashkëpunojë për sigurimin e paqes në botë, po ringjall ëndrrat perandorake të fashizmit e komunizmit sovjetik”, ka shtuar ai.
Ai shtoi gjithashtu se nevojitet solidariteti me viktimën dhe dënimi i agresorit dhe ndihma ndaj luftës çlirimtare dhe izolimi i agresorit, njëjtë si në vitet 1998-1999 kur NATO i erdhi në ndihmë popullit shqiptar të Kosovës, tha kryeministri.
“Nevojitet solidariteti me viktimën dhe dënimi i agresorit dhe ndihma ndaj luftës çlirimtare dhe izolimi i agresorit, njëjtë si në vitet 1998-1999 kur NATO i erdhi në ndihmë popullit shqiptar të Kosovës”, ka thënë kryeministri.