image Kurti emëron zv/ministër të dënuarin për keqpërdorim të kartelës shtetërore - Sinjali

Kurti emëron zv/ministër të dënuarin për keqpërdorim të kartelës shtetërore

news image

Gazeta Sinjali raportoi sot se kryeministri Albin Kurti ka emëruar gjashtë zëvendësministra në dikastere të ndryshme.

Në mesin e zëvendësministrave të rinj është edhe Qazim Rrahmani, i cili u emërua në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.

Ndonëse, më 1 tetor të vitit 2018 Rrahmani ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, kjo gjë nuk e ka penguar Kurtin që ta emërojë atë në këtë pozitë, raporton Gazeta Sinjali.

Për këtë vepër penale, e cila hyn në kuadër të veprave penale të korrupsionit zyrtar, Rrahmani ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Mirëpo, me pëlqimin të tij, ky dënim me burg i ishte zëvendësuar pastaj në dënim me gjobë në lartësi prej 3,000 euro. Po ashtu, Rrahmani ishte obliguar që t’ia kthejë Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) edhe shumën prej 4,858.89 euro.

Ndaj aktgjykimit të Themelores, Rrahmani nuk ishte ankuar fare në Gjykatën e Apelit.

Rrahmani akuzohej se për më shumë se një vit, derisa ishte në pozitën e zv/ministrit të Punës dhe Mirëqenies Sociale, kishte shpenzuar mbi 12 mijë euro nga kredit-kartela, e cila dedikohej enkas për zyrtarët e lartë qeveritarë.

Sipas aktakuzës, nga shuma e përgjithshme e cila ishte tërhequr, MPMS-së, Rrahmani ia ka kthyer 7.504.51 euro, ndërsa dëmi aktual ndaj MPMS-së arrin vlerën prej 4.858.89 euro./Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin