Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Abin Kurti, tha se vendimet e qeverisë së tij ishin thjeshtë rekomandime që u bën nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK), shkruan Gazeta Sinjali.
“Duhet ta kuptoni që situata sot në Kosovës është më shumë shkencore se sa demokratike në kuptimin që vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë sot, e të qeverisë dje, ishin veçse forma politike të opinioneve shkencore. Është Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ai i cili i bënte rekomandimet që ne i shndërronim me vota në qeveri në vendime të ekzekutivit. Pra, është situatë më shumë shkencore se sa demokratike”, tha Kurti.
Po ashtu, sipas tij, Ministria e Shëndetësisë tani po i merr vendimet sipas udhëzimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rekomandimeve të IKSHPK-së.
“Ministria e Shëndetësisë po i merr vendimet ashtu siç na ka udhëzuar aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese që ka shprehur njëlloj mirëkuptimi, edhe pse na ka thënë që nuk jemi në përputhje me Kushtetutën, me vetë faktin që na ka dhënë afatin deri më 13 prill. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thotë që të gjitha komunat e Republikës së Kosovës janë të prekura ose të rrezikuara nga COVID-19 dhe në përputhje me këtë edhe Ministria e Shëndetësisë po i merr vendimet. Nuk e di nëse dërgimi i fundit në Gjykatën Kushtetues i qeverisë tonë do të jetë i pranueshëm. Nuk e di çfarë do të jetë aktgjykimi i ardhshëm, mirëpo ne jemi këtu që të shpëtojmë jetërat e njerëzve”, tha kryeministri në detyrë.
Kurti e pranon se vendimet e qeverisë kanë shkelur Kushtetutën, por thotë se nuk mund “t’ia dalim kundër koronavirusit, pa masa rigoroze”. Gjithashtu, ai thotë se nuk është njëjtë si tani, sikur ta kishte shkelur në vitin 2019.
“Po dhe ka pasur njëlloj mirëkuptimi deri më datën 13 prill, shumë çuditshëm! Ka pasur ndjeshmëri të Gjykatës Kushtetuese për situatën emergjente, pra nuk mund të thuhet se kjo shkelje e Kushtetutës është sikurse një e tillë të ishte në vitin 2019 dhe nuk ekzistojnë pasojat në të drejtat e njerëzve, në kuptim esencial të fjalës. Nuk na ka kritikuar e kundërshtuar as sa i përket proporcionalitetit të masave tona dhe besoj që tash çfarë po bëjmë me Ministrinë e Shëndetësisë, në vend që me vendimet e Qeverisë është procedurë tjetër, por jemi përbrenda të njëjtit orientim që më vjen keq, por është i domosdoshëm. Nuk do të mund t’ia dalim kundër COVID-19, pa masa rigoroze”, tha ai. /Gazeta Sinjali/