image Kurti dhe Kearns për Serbinë pas agresonit të 24 shtatorit: Ndëshkimi është vendimtar

Politikë

Kurti dhe Kearns për Serbinë pas agresonit të 24 shtatorit: Ndëshkimi është vendimtar

news image

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti është takuar me deputeten britanike, Alicia Kearns, që së fundmi qëndroi në Kosovë për vizitë.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit është thënë se Kurti ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e madhe të Kearsnit për Kosovën, teksa diskutuan edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, për të cilin thanë se ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje.

Ndër tjera, në takim u theksua që prioritet kryesor për Kosovën është siguria e shtetit dhe e qytetarëve.

“Në takim u theksua që prioritet kryesor për Republikën e Kosovës është siguria e shtetit dhe e qytetarëve. U tha se pas sulmit terrorist dhe kriminal të 24 shtatorit të kryer nga grupe paramilitare me sponsorim dhe pjesëmarrje të Serbisë, ndëshkimi është vendimtar për mospërsëritje. U bisedua për përkushtimin e plotë për zbatimin e Marrëveshjes Bazike (Bruksel, 27 shkurt) dhe Aneksit të Implementimit të tij (Ohër, 18 mars)”, thuhet në njoftim.

Deputetja Kearns ka pasur takime edhe me udhëheqës të tjerë institucionalë në Kosovë. Ajo ka parë nga afër edhe armët e kapura nga Policia e Kosovës.

/GazetaSinjali/