Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka numëruar punët që qeveria e udhëhequr nga ai ka kryer për 100 ditë.
Përmes një postimi në Twitter, ai ka thënë se përkundër sfidave që ata janë përballur, nuk janë ndalur dhe nuk do të ndalën që të punojnë për qytetarët.
Sipas tij, ata do të qeverisin deri në zgjedhjet e ardhshme.
“Nesër është dita e 102, pastaj 103,104… deri në zgjedhjet e ardhshme”, ka shkruar Kurti.
Shefi i qeverisë në detyrë ka shkruar se dje kanë bërë 100 ditët e para të qeverisjes dhe pavarësisht krizës së shëndetit, krizës ekonomike dhe krizës politike, ata nuk janë ndalur.
Gjatë kësaj kohe, ai thotë se, “janë marrë 200 vendime për ta çkapur shtetin, luftuar korrupsionin dhe për t’i ndalur humbjet financiare”.
Ai ka përmendur gjithashtu inicimin e procesit të vetingut dhe masat e hershme për parandalimin e koronavirusit. /Gazeta Sinjali/