image Kurti: “Ballkani i Hapur” ngjan si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja

Politikë

Kurti: “Ballkani i Hapur” ngjan si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja

news image

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar takimin mes krerëve të tri shteteve fqinje, që tashmë ka marrë një emër të ri “Open Ballkan”.

Ai ka thënë se problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është fakti që kreu i Serbisë nuk ballafaqohet me të kaluarën, kurse për tregun e përbashkët ai ka thënë se një gjë e tillë duhet të nënkuptoi sundim të ligjit.

Mirëpo sipas ti kjo është e pamundur sepse Serbia nuk e pranon të kaluarën kriminale.

Ne si Republikë e Kosovës konsiderojmë që problemi kryesor në Ballkanin Perëndimor është mosballafaqimi i kreut të Serbisë me të kaluarën. Përkatësisht me të kaluarën kriminale të Serbisë e cila i shkaktoi katër luftëra në dekadën e fundit të shekullit 20. Tregu i përbashkët duhet patjetër të shoqërohet me ballafaqimin me të kaluarën, me demokratizimin e vendeve tona dhe me sundimin e ligjit. Përndryshe do të kemi më shumë ngjarje që nuk ngelen në kujtesë sesa procese dhe struktura që ndryshojnë për së miri jetën e qytetarëve”, tha ai transmeton KP.

Kurti ka komentuar edhe ndryshimin e emrit nga minishengeni në “Open Ballkan” ku ka thënë që nuk është i entuziazmuar nga ky ndryshim, sepse një emërim i tillë nënkupton hapje ndaj ndikimeve ruse dhe kineze.

Në veçanti nuk mund të them që jam i entuziazmuar me emërtimin ‘Ballkani i Hapur’ pasi duke qenë aty kreu i Serbisë që nuk ballafaqohet me të kaluarën e shtetit të tij dhe të vetes së tij, ‘Ballkani i Hapur’ ngjan më shumë si Ballkan i hapur për ndikimet nga Lindja, sidomos nga Federata Ruse dhe Kina, si dhe Ballkan i Hapur për autokracinë, korrupsionin, kriminelët e luftës, siç e dimë që vazhdojnë të jenë masivisht jo vetëm të lirë në Serbi, por jo pak prej tyre edhe në pushtet”, tha ai.

Kurti siguroi se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë janë vëllazërore, pa marr parasysh raporteve të krerëve shtetërorë.

Kosova dhe Shqipëria do t’i kenë e duhet t’i kenë marrëdhëniet e mira e gjithnjë e më të mira. Nuk i përket as kryeministrit të Kosovës e as atij të Shqipërisë që dy vendet tona që janë të një kombi që të kenë marrëdhënie jo të mira. Kosova dhe Shqipëria, qytetarët e të dyja vendeve i kanë marrëdhëniet vëllazërore, ndërkaq prej politikanëve, qofshin ato edhe prej kryeministrave si Edi Rama dhe puna ime mbetet vetëm ta përfaqësojnë këtë vullnet e interes të qytetarëve”, tha ai.

Ndërkaq kryeministri Kurti është pyetur nga gazetarët edhe për shkarkimin e mundshëm të ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, e që shkurt ka thënë “jo”.

Këto komente Kurti i bëri pasi mori pjesë në një bashkëbisedim me poetin Xhevdet Bajraj, në kuadër të Panairit të Librit.

/Gazeta Sinjali/