image Kurti: Askush, as NATO-ja, nuk po bën mjaftueshëm për Ukrainën

Politikë

Kurti: Askush, as NATO-ja, nuk po bën mjaftueshëm për Ukrainën

news image

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka vlerësuar se NATO duhet të bëjë më shumë për ta ndihmuar Ukrainën.

Pamjaftueshmërinë e veprimeve të Aleancës Veri-Atlantike ai e ka konstatuar kur është pyetur nga BBC radio, nëse duhet vendosur një ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.

“NATO-ja e di më së miri, por mendoj se kur i shihni popullin e Ukrainës duke vuajtur dhe në të njëjtën kohë avionët dhe artilerinë ruse duke i bombarduar civilët, nuk mendoj se ajo që po bëjmë aktualisht, përfshirë NATO-n, është e mjaftueshme”, është përgjigjur ai në pyetjen e ripërsëritur të gazetarit të BBC-së.

Kjo, derisa kërkoi që bota të përdorë mësimet nga rasti i Kosovës.

“NATO-ja e ndaloi gjenocidin serb në Kosovë. 19 shtete u bashkuan për të ndaluar Kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq, pasi ai veçse kreu gjenocid në Bosnje dhe Hercegovinë. Pra, ishte gjenocidi i dytë në kontinentin e Evropës pas Luftës së Dytë Botërore që e bëri NATO-n të ndërhynte. NATO-ja, shtetet e NATO-s, populli i Evropës duhet ta ndihmojnë popullin ukrainas sepse ata po e mbrojnë të gjithë kontinentin”, ka thënë Kurti.

/GazetaSinjali/