image Kurti ambasadorëve të QUINT-it: Vendimi për targat s'është kundër serbëve

Politikë

Kurti ambasadorëve të QUINT-it: Vendimi për targat s’është kundër serbëve

news image

Kryeministri Albin Kurti në takim me ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë, kanë biseduar për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat të veturave.

Kryeministria njofton se për sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër.

Energjia kishte vëmendje të veçantë njofton Qeveria. Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e Qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës.

Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord.

Në lidhje me vendimin për targa, Kurti tha se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

“Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare”, theksoi kryeministri Kurti.

/GazetaSinjali/