Sami Kurteshi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, po thotë se nuk ka marrë asnjë njoftim për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, si i dyshuar për sulm ndaj punëtorit të KQZ-së. Kurteshi madje ka akuzuar Prokurorinë, Policinë e Mediat për krim të organizuar. Kështu ka deklaruar Kurteshi në një prononcim për Gazetën Sinjali.
Në një përgjigje përmes telefonit, Kurteshi u çudit për ngritjen e aktakuzës ndaj tij, duke thënë se ka punë të tjera dhe nuk është duke u marrë me këtë çështje.
“Për çfarë aktakuze? Më falni po unë as s’po disha gjo, as s’jom i njoftum, as kurrgjo, le të shkruajnë mediat, qatë punë e kanë. Pashë besën, mos tëm lodhin me këtë punë, i kom disa punë tjera, hiç s’jom t’u u marrë me këtë punë, as s’di gjo as…”, tha Kurteshi për Sinjalin.
Ai tha se fakti që po njoftohet nga mediat për ngritjen e aktakuzës “tregon natyrën e krimit”.
“E kanë ata punën e vet, për qata unë krimin e organizum e njoh, dmth është i lidhur në Prokurori, Polici e media. Unë s’merrna me to m’fal. Fakti që po e marr vesh prej juve, tregon natyrën e krimit në këtë vend, mjafton, mfal pash besën.“
“Betimi për Drejtësi” raportoi se Prokuroria Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2021, ka ngritur aktakuzë ndaj Kurteshit, të cilin e ngarkon se në selinë e KQZ-së, ka përdorur forcën ndaj zyrtarit të këtij institucioni, Adon Berisha, duke e kapur për krahu, duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” e shtynë nga mbrapa me dy duart.
Sipas aktakuzës thotë se derisa Berisha ishte duke iu shërbyer me kafe dhe pa vendosur maskë, fillimisht i akuzuari i drejtohet me fjalët “djalo ku e ki maskën?” dhe pasi që i njëjti nuk përgjigjet, atëherë Kurteshi e kap për krahu të dëmtuarin duke e tërhequr dhe duke i bërtitur me fjalët “ec jashtë” dhe e shtynë nga mbrapa me dy duart.