image Kurti e "sfidon" koronavirusin - 354 raste aktive, ai bën ftesë për tubim në shesh

Politikë

Kurti e “sfidon” koronavirusin – 354 raste aktive, ai bën ftesë për tubim në shesh

news image

Ish-kryministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubim në sheshin “Skënderbeu”, këtë të premte, më 12 qershor.

Ky tubim, sipas Kurtit, do të mbahet për nder të 15-vjetorit të themelimit të VV-së dhe 21-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Kurti tha se pjesëmarrësit në këtë organizim do ta mbajnë distancën dhe do t’u përmbahen rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Lideri i VV-së sot përmes një video-mesazhi u tha qytetarëve të bashkohen në këtë tubim, në pikat e kuqe të vendosura në shesh.

“Ejani nesër në këtë tubim paqësor, me muzikë e fjalime”, tha Kurti.

Tubimi i Vetëvendosjes pritet të mbahet në kohën kur numri i rasteve me koronavirus po shkon duke u rritur.

Të pyetur nga Gazeta Sinjali nëse ky tubim rrezikon rritjen e numrit të rasteve me koronavirus në këtë kohë kur janë 354 raste aktive, nga Lëvizja Vetëvendosje thanë se ky tubim do të shkojë shumë mirë dhe suksesshëm, njëjtë siç thotë se ka shkuar edhe “prova” e protestës me mbi 5 mijë persona.

“Herën e kaluar u mblodhëm në sheshet e Prishtinës në provë me diku mbi 5 mijë persona, duke ruajtuar distancën dhe gjithnjë në përputhje me rekomandimet. Edhe në njoftimin publik që kemi publikuar për tubimin e 12 qershorit ku në 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës festojmë edhe 15 vjetorin e Lëvizjes do të kihen parasysh të njëjtat gjëra. Hera e kaluar shkoj shumë mirë dhe sukseshëm, njëjtë do të jetë dhe kjo e orës 17:00 të ditës së 12 qershorit”, thuhet në përgjigjen e LVV-së për Gazetën Sinjali.

Kujtojmë që më 15 mars, dy ditë pas konfirmimit të rasteve të para me koronavirus në Kosovë, kur ishin vetëm 9 raste aktive, Albin Kurti, në atë kohë kryeministër i Kosovës, pati apeluar te qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, gjest i cili, kishte thënë ai, tregon trimëri.

“Shumë herë ju kam thirrë t’dilni n’protesta. Tash është trimni t’qëndroni n’shpi”, kishte shkruar Kurti në Instagram.

Për tubimin e Lëvizjes Vetëvendosje ka reaguar edhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë. Kjo ambasadë kërkoi nga qytetarët të mos dalin në sheshe dhe të shtojnë kujdesin, pasi që ambasada amerikane paralajmëron se “protesta politike” e LVV-së mund të jetë e dhunshme.

“Disa ngjatje janë paralajmëruar nga 10 deri më 17 qershor, 2020. Këto ngjarje përfshijnë, por jo vetëm, përvjetorin e 21-të të çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e Lëvizjes Vetëvendosje. VV-ja po organizon një protestë politike (“tubim”) më 12 qershor, në sheshin ‘Skënderbeu’, Prishtinë. Personeli qeveritar amerikan dhe qytetarët amerikanë këshillohet të shmangin zonat e demonstratave dhe të jenë të kujdesshëm nëse gjenden në afërsi të ndonjë tubimi të madh, proteste apo demonstrate. Edhe tubimet e proklamuara të qeta shpejt mund të shndërrohen në të dhunshme. Tubimet në numra të mëdhenj mund të shndërrohen në super-ngjarje të përhapjes së COVID-19”, thuhet në paralajmërimin e ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje në adresë të zëdhënësit të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, lidhur me këtë deklaratë, por nuk ka pranuar përgjigje./Gazeta Sinjali/

Tubim në Sheshin "Skënderbeu", të premten me 12 qershorNë mbledhjen e sotme me Qendrat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!…

Posted by Albin Kurti on Saturday, June 6, 2020
Tubim publik paqësor, të premten, në sheshin "Skënderbeu", në ora 17:00

Tubim publik paqësor, të premten, në sheshin "Skënderbeu", në ora 17:00, për të shënuar 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës e 15 vjetorin e formimit të VETËVENDOSJE!-s.

Posted by Albin Kurti on Thursday, June 11, 2020