image ‘’Kur bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato’’, deklarata e Escobar dhe reagimet për ‘zbutje’ të masave për targat

Politikë

‘’Kur bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato’’, deklarata e Escobar dhe reagimet për ‘zbutje’ të masave për targat

news image

Qeveria e Kosovës të premten mori vendim për përshkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.

Sipas propozimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sanksione por jo të ashpra, do ketë për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe siç parashihet me vendimin e ri të Qeverisë së Kosovës.

Masat e reja për targat hyjnë në fuqi nga data 1 nëntor, kurse me qëndrimin e ri qeveritar, deri më datë 21 të këtij muaji do të vlejë vetëm masa e qortimit.

E nga 21 nëntori e deri më 21 janar do të jetë në fuqi masa e gjobitjes dhe nga 21 janari deri më 21 prill do të ketë targa provuese.

Kurti me këtë rast deklaroi se pas datës 21 prill nuk mund të ketë targa të tjera në Kosovë, përveç atyre RKS.

Kurse, zëvendësi i tij Besnik Bislimi në konferencë për media deklaroi se serbët që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në RKS do të gjobiten me 150 euro, kur të fillojë gjobitja më 21 nëntor, sipas vendimit të ri të qeverisë.

I pari i Qeverisë këtë vendim ua kishte propozuar edhe ambasadorëve të QUINT-it në Kosovë, të cilët u raportua se i kishte surprizuar. Sipas tij lidhur me vendimin, diplomatët do të konsultohen me kryeqendrat e tyre.

Për këtë vendim i cili po ‘shkund’ botën e politikës në vend dhe më gjerë, ka folur edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sveçla tha se nga 1 nëntori ky vendim do të zbatohet me përpikëri. Vendimi i ekzekutivit ka ngjallur reagime.

E të pakënaqur me këtë janë shprehur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, ka deklaruar se SHBA-të janë të zhgënjyer dhe të shqetësuar që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat dhe rekomandimet ndërkombëtare.

Hiç më mirë lidhur me vendimin e ekzekutivit kosovar nuk reagoi as Bashkimi Evropian.

Zëdhënësja për punët e Jashtme dhe Sigurinë Nabila Massrali, deklaroi se “është zhgënjyese” që nuk janë përfillur këshillat e “partnerëve më të afërt të Kosovës” rreth kësaj çështjeje.

Ajo tha se Kosova ka të drejtë të heqë gradualisht tabelat KM, por procesi duhet të zhvillohet në mënyrën e dakorduar në dialog dhe të zbatohet në mënyrë gjithëpërfshirëse dhe konsultative.

Pas vendimit të marrë nga qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti, reagime pati edhe nga partitë opozitare.

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me vendimin qeveritar për targat ilegale serbe.

Ajo u shpreh se Kosova nuk i takon vetëm Albin Kurtit, por se ‘’Kosova është shtëpia jonë e përbashkët’’.

E kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, ka thënë se është tejet brengosës fakti që qeveria amerikane është shprehur e zhgënjyer dhe e shqetësuar nga veprimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me vendimin për targa.

Abdixhiku tha se në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, Qeveria Kurti duhet të trajtojë me kujdes relacionet me partnerët e përhershëm dhe strategjikë siç janë ShBA-ja dhe BE-ja.

Për këtë vendim të kryeministrit Kurti, reagoi me doza kritike edhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj, tha se ai është vendim shkurtpamës e që mund të sjellë pasoja.

E në këtë rast i pritshëm ishte edhe reagimi i Listës Serbe, për vendimin e qeverisë kosovare, ku parashihen qortime, gjoba e targa provuese.

‘’Shqiptimi i parë i gjobës do të jetë shkak për rezistencë të ashpër të serbëve’’, sepse sipas tyre, ata janë të vetëdijshëm për qëllimet reale të Kurtit.

Teksa në mesin e reagimeve të ndërkombëtarëve, është edhe ambasadori amerikan në Serbi, Christoper Hill, ai i cili dha qëndrimin e tij rreth qasjes së kryeministrit Albin Kurti.

Hill tha se ka çështje që janë më të rëndësishme sesa targat e makinave, e si shembull i mori armët nukleare me të cilat po kërcënon Rusia.

Kujtojmë që i dërguari special amerikan, Gabriel Escobar, më 19 tetor, bëri të ditur se kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës, që vendimin e reciprocitetit për targat, ta shtyejë për 10 muaj.

”Ne besojmë se është e rëndësishme që kur bëjmë rekomandime, njerëzit t’i dëgjojnë ato”, kishte deklaruar mes tjerash Escobar, në kanal 10.

Kjo meqë lidhur me këtë rekomandim ai zbuloi se ende nuk kishte pranuar zotim as nga kryeministri Kurti, as nga presidentja Osmani për kërkesën e tyre.

E pas gjithë kësaj, kryeministri Albin Kurti në një mbledhje të qeverisë, kishte propozuar shkallëzimin e sanksioneve për të gjithë ata që nuk konvertojnë targat ilegale serbe në ato të Republikës së Kosovës.

/GazetaSinjali/