Presidentja aktuale e vendit, Vjosa Osmani, është në mesin e deputetëve që ndër vite kishin përfituar kompensim të shpenzimeve të udhëtimit, në kohën kur ishte deputete e Kuvendit, raporton Gazeta Sinjali.
Ndonëse jeton në Prishtinë që nga viti 2012, Osmani u kompensua për harxhimet e udhëtimit deri në vitin 2015, kur përfundimisht hoqi dorë nga kjo e drejtë.
Mirëpo, ndryshe nga deklarata e vetë Osmanit, këshilltari i saj, Bekim Kupina, thotë se presidentja vazhdon të qëndrojë një pjesë të gjatë të kohës në Gjilan.
“Në vitin 2010, kur zonja Osmani është zgjedhur deputete për herë të parë, nuk ka ekzistuar asnjë rregullore, me të cilën parashihej kompensimi i deputetëve për udhëtim prej komunave nga vijnë. Në atë kohë, deputetja Osmani asnjëherë nuk është informuar nga administrata e Kuvendit apo trupat e tjerë të Kuvendit, që ndërkohë është marrë një vendim i tillë për kompensim. Ajo është regjistruar në formularin për regjistrim si deputete e Mitrovicës, por ajo po ashtu asnjëherë nuk ka paraqitur kërkesë për kompensim për udhëtim.”
“Që nga dhjetori i vitit 2012, Osmani është martuar në Prishtinë, por edhe më tej, më shumë se gjysmën e vitit (nga fillimi i vitit 2013 e tutje), zonja Osmani i kalon në Gjilan, prej nga edhe ka udhëtuar”, shkroi Kupina në Facebook.
“Znj. Osmani edhe sot e kësaj dite vazhdon që pjesën më të madhe të vitit të udhëtojë nga Gjilani. Përgjatë viteve 2011-2014 që ajo qenka kompensuar me rreth 80 euro në muaj për udhëtimet e mandatit të parë, ajo asnjëherë nuk është informuar rreth kompensimit për udhëtim. Siç dëshmohet ajo nuk është kompensuar për 4 mandatet e tjera si deputete edhe pse ka udhëtuar për pjesën më të madhe të secilit nga këto vite”, shtoi ai./GazetaSinjali/