Edhe këtë vit nuk pritet që të fillojnë punimet për konservimin e Kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ka konfirmuar drejtori i Agjencisë për Menaxhimin e Kompleksëve Memoriale, Bislim Zogaj.
Ai ka thënë se punimet në këtë kompleks priten të fillojnë në pranverën e vitit tjetër. Sipas tij, punimet do të zgjasin për më shumë se dy vjet.
Zogaj tha se ekspertët kanë vlerësuar se shtëpitë e rezistencës mund të mbijetojnë edhe për pak kohë, por sipas tij, ato mund të rrezikohen vetëm në rast që ka ndonjë tërmet.
“Po shpresojmë që deri në pranverë do ta kemi edhe projektin dhe nga viti i ardhshëm do të fillojmë konservimin e shtëpive të rezistencës po edhe gjithë projektin me objektet e tjera përcjellëse. Komunitete ndërministror kishte caktuar një komision të ekspertëve që kanë pasur obligim deri në fund të viti të na bin detyrën projektuese, po është insistuar nga ky komision që të vije detyra projektuese më herët dhe kjo është realizuar. E kemi votuar këtë, jemi në fazën ku jemi duke diskutuar se cila do të jetë forma më e lehtë për ti zhvilluar procedurat e tenderët për realizimin e projekteve”.
“Në pranverë do të fillojmë restaurimin e shtëpive të rezistencës pastaj me vazhduar me projekte të tjera në atë kompleks. Ku do të jetën një projekt më i frekuentuar jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon sepse projekti do të filloj nga fabrika e municioneve e deri te bunkeri ku ka qëndruar Adem Jashari. Po shpresojmë që deri në vitin 2023 t’i konservojmë shtëpitë e rezistencës pastaj gradualisht të tjerat”.
“Prej se jam unë drejtor e kam pasur frikën e këtyre shtëpive se mos po rrënohen dhe pastaj do të na mungonte diçka e shpejtë. Kemi vlerësuar gjendjen e tyre, fillimisht jemi përcaktuar në dy objekte jo këto ku ka luftuar Adem Jashari, por në hyrje të fshatit. Ekspertet kanë vlerësuar që Kullat e rezistencës edhe për një kohë të shkurtër nuk mund të jenë të rrezikuara, dashtë zoti të mos ketë ndonjë termet, përndryshe ata kanë llogaritur se edhe për një kohë mund ti qëndrojnë kohës”, tha ai.
Zogaj ka folur edhe për sfidat të cilat i kanë si agjenci, duke cekur këtu se rritja e çmimeve i ka penguar ata për shumë procedura.
Ai shtoi se si agjenci ata kanë prioritet konservimin e objekteve të luftës, raporton EO.
“Agjencia këtë vit ka pasur shumë sfida, ngritja e çmimeve ka penguar për të zhvilluar shumë procedura, një sfidë tjetër që jemi ballafaquar ka qenë edhe shpronësimi i tokave. Vitin e ardhshëm do ta kemi një sfidë bukur të madhe për të realizuar projektet të cilat edhe qytetarët, edhe institucionet e tjera kanë prit që të realizohen këtë vit dhe do të na ballafaqohen projektet e këtij viti me vitin e ardhshëm. Kur do të votohet buxheti në Kuvend, do të bëjmë kërkesa për rritje të buxhetit për vitin e ardhshëm”.
“Ne si agjenci kemi prioritet ato objekte që janë më urgjente dhe ato të luftës, pra konservimin e tyre, janë edhe disa objekte qe fatkeqësisht shumë pak na kanë shpëtuar sepse i ka marr koha më vete. I kemi edhe disa objekte për konservim në atë shtëpinë në Rahovec ku janë pushkatuar në Rahovec, pastaj kemi shtëpinë në Vushtrri, një xhami në Junik e pastaj edhe disa memeoriale”, tha ai.